Ndonjëherë janë disa vargje nga Bibla që bëhen aq të njohura, saqë thjesht i kalojmë pa u kushtuar rëndësinë praktike që kanë. Isaia 9:6 është një nga ato vargje. Po e lexoj për ju:
Sepse na ka lindur një fëmijë,
një djalë na është dhënë.
Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria
dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm,
Perëndi i fuqishëm,
Atë i përjetshëm, Princ i paqes.
Dashur pa dashur këtë varg ja kemi dedikuar sezonit të Krishtlindjes, sepse profetizon ardhjen e Shpëtimtarit tonë rreth 700 vjet përpara se të ndodhte ngjarja. Por lexojeni dhe njëherë me vëmendje dhe ndoshta do të gjeni pikërisht atë që ju nevojitet sot, sepse ai varg përmban katër emra të ndryshëm të Zotit tonë.
Për shembull, a keni nevojë për urtësi dhe drejtim sot? Ai është “Këshilltari juaj i admirueshëm”, i cili ka të gjithë urtësinë dhe e di fundin që nga fillimi. Lëreni Atë t’ju këshillojë se cilën rrugë të ndiqni.
Ndoshta ju duhet të bëni një punë të rëndësishme që askush tjetër nuk mundet. Mos harroni se Ai është “Perëndia juaj i Fuqishëm”, i cili ka të gjithë fuqinë si në qiell dhe në tokë.
Ose ndoshta jeni lënduar dhe keni nevojë për ngushëllimin dhe kujdesin e Perëndisë. Isaia thotë se Ai është “Ati juaj i Përjetshëm”, më i dashur se sa mund të ishte ati më i mirë tokësor. Ai kurrë nuk do të pushojë së qëni Ati juaj i Përjetshëm, sepse Ai ka premtuar se nuk do t’ju lërë kurrë – kurrë, kurrë.
Dhe, nëse zemra juaj është e trazuar për situatat me të cilat po përballeni, keni nevojë për “Princin e Paqes”, i cili mund t’ju japë paqen që e dëshironi aq shumë.
Miku im, mos prit deri për Krishtlindje për të gjetur Këshilltarin e Admirueshëm, Perëndinë e Fuqishëm, Atin e Përjetshëm dhe Princin e Paqes për të cilin ke nevojë sot. Kthehuni tek Ai sepse është burimi i gjithçkaje që të nevojitet.