Lexo:Ligji i Përtërirë 26:1-2, 10-11
“Mami, tabela është ende aty!” Xhoela vuri hundën në dritaren e makinës, ndërsa po kalonin pranë oborrit të një fqinji. Tek tabela e madhe ishte shkruar: “Kotele falas”, dhe Xhoela i përgjërohej vazhdimisht nënës që ta merrte një.
“Dëgjo, unë dhe babi yt biseduam për këtë,” tha nëna. “Dhe vendosëm që mund ta marrësh një kotele.” Xhoela klithi e gëzuar dhe sapo ajo dhe nëna u kthyen në shtëpi, ato shkuan në shtëpinë e fqinjit për të zgjedhur një kotele. Xhoela zgjodhi më të voglën. “E kam quajtur Ranti,” tha ajo me gëzim kur i tregoi kotelen vëllait të saj, Klejdit. “Emër i bukur,” tha Klejdi. Dy javë më vonë, nëna dhe Xhoela e çuan Rantin te veterineri për vizitën e parë. “Ranti është pak i dobët,” tha veterineri. “Me çfarë e ushqeni?”
“Me qumësht,” tha Xhoela, “dhe me ushqime të mbetura.” Nëna pohoi me kokë. “Shumica e gjëra që ai ha, janë mbetje të vakteve tona.” “Ky mund të jetë problemi,” tha veterineri. “Mbetjet e ushqimeve tuaja mund të mos kenë lëndët ushqyese që e ndihmojnë Rantin të rritet siç duhet. Përpiquni ta ushqeni me ushqim të posaçëm për kotele dhe mendoj se do të fillojë të jetë më mirë.”
Kur po ktheheshin në shtëpi, Xhoela dhe nëna ndaluan për të blerë ushqimin e veçantë që veterineri iu kishte sugjeruar për kotelen. “Duke filluar nga ky çast Ranti do të hajë vetëm ushqim të mirë dhe të shëndetshëm, të përgatitur posaçërisht për kotelet,” i tha Xhoela vëllait të saj atë mbrëmje.
Klejdi qeshi. “Epo, më vjen mirë që nuk jam Ranti,” tha ai. “Mua më pëlqen vetëm ushqimi i konservuar.”
Duke dëgjuar bisedën e fëmijëve, babai buzëqeshi. “Pra, Ranti nuk do të hajë më ushqime të mbetura?” pyeti ai. “Unë njoh edhe dikë tjetër që nuk duhet të marrë më ushqim të mbetur. E gjeni dot se kush mund të jetë?” “Ë… mos je ti?” pyeti Xhoela e habitur. “Ti gjithmonë thua se të pëlqen ai ushqim.” Babai qeshi. “Më pëlqen,” tha ai, “por po mendoja që edhe Perëndisë ndonjëherë i japim nga mbetjet tona. Në vend që t’i japim Atij vetëm atë që na mbetet nga koha, dashuria apo përpjekja jonë, ne duhet t’i japim më të mirën tonë në çdo gjë që bëjmë.”
“Mendoj se e kuptova,” u përgjigj Xhoela. “Ja pse ti thua se duhet të vëmë mënjanë ofrimin për kishën, apo jo? Po ashtu duhet të japim ndihmën tonë me projektet e shërbimit që bën klasa jonë.” Ajo qeshi. “Por më vjen mirë që të pëlqen ushqimi i konservuar, babi,” shtoi ajo. “Sepse ashtu mendoj që do të hamë për darkë.”
A i jep Perëndisë më të mirën tënde? A i jep Atij të parit? Para se të shpenzosh për veten tënde, a e vendos mënjanë një pjesë të caktuar të parave të tua? Apo fillimisht blen atë që dëshiron? A kalon kohë me Perëndinë vetëm atëherë kur të mbetet pak nga koha në fund të ditës? A ofron energjinë që të ka mbetur për të ndihmuar dikë vetëm pasi ke bërë gjërat që të pëlqejnë? Perëndia i tha popullit të Tij të sillte frutat e para” dhe t’i jepte Atij të parit. Ai këtë kërkon edhe nga ty.