Martesa është një çështje e rëndësishme në jetën e secilit. Një numër i madh i librave, revistave dhe burimeve të këshillimit të martesës i dedikohen temës së përgatitjes për martesë dhe përmirësimit të martesës. Në një kërkim të Amazon rezultuan më shumë se 20,000 libra për tejkalimin e problemeve martesore dhe përmirësimin e komunikimit në martesë. Por, shumë çifte të reja hasin disa probleme sapo fillojnë jetën martesore. Disa çifte divorcohen pas 2 ose 3 vitesh pasi martohen, ndërsa të tjerë ndajnë tërë jetën me njëri-tjetrin. Cfarë është koncepti i besëlidhjes?A është martesa një besëlidhje? Cilat janë shtyllat e qëndrueshmërisë të një martese?
Koncepti i besëlidhjes i ka fillesat e veta nëpër gjithë besëlidhjen e vjetër dhe atë të re, duke thurur kështu një qilim dashurie dhe besnikërie të pafund ndërmjet Perëndisë dhe popullit të tij. Betimet martesore pasqyrojnë të njëjtin përkushtim besnik, shprehjen e një përkushtimi që zgjat tërë jetën midis dy njerëzve dhe Perëndisë. Fjala hebraike beriyth është përdorur mbi dyqind e tetëdhjetë here në Besëlidhjen e Vjetër dhe më së shumti është përkthyer “besëlidhje”, pra, “një marrëveshje e detyrueshme për t”u zbatuar”. Në këtë mënyrë, një i krishterë/e krishterë duhet të ketë parasysh që përpara se të ndërmarrë një vendim kaq vendimtar për jetën e tij/saj, që kjo besëlidhje duhet respektuar cdo ditë, në mënyrë që të jetë e efektshme zbatimi i saj. Edhe në Dhjatën e re, fjala greqisht diatheke, e përkthyer “besëlidhje”, tregon një premtim të bërë ndaj një individi. Tek Hebrenjëve 9:15, thuhet se “Krishti është ndërmjetësuesi i Besëlidhjes së re…”. Pra, si mbajtës i kësaj martese,(ti personifikohesh me Krishtin në proceset jetësore), je përgjegjës para Perëndisë për të demonstruar besëlidhjen tënde të dashurisë dhe besueshmërisë ndaj partnerit/partneres.
Perëndia na thotë se martesa ishte projektuar për shoqëri dhe intimitet. Në librin e Zanafillës thuhet se “Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm. Unë do të bëj një ndihmës të përshtatshëm për të ‘… dhe ndërsa ai po flinte, mori një nga brinjët e njeriut dhe e mbylli vendin me mish”. Kjo do të thotë që ne kemi nevojë të mbetemi të mbështjellë nën petkun e këtij rrethi të ngushtë, që na jetëzon. Ndonjëherë ekziston edhe një lloj kontradite midis burrit dhe gruas, se cili duhet të ketë më shumë autoritet. Kjo manifestohet shpeshherë fshehurazi, mes projektimit dhe ndarjes së punëve të secilit. E vërteta është që të dyja palet janë të ndryshëm por të barabartë. “Sepse një burrë është kreu i gruas së tij…e vijon me një tjetër varg(Libri i Pjetrit)… ajo është partneri juaj i barabartë në dhuratën e Perëndisë për jetë të re. Nëse nuk e trajton atë siç duhet, lutjet tuaja nuk do të dëgjohen”. Ka një thirrje të hapur në këtë pasash. Lutja, që është arma më e fuqishme që Zoti na ka dhënë, nuk dëgjohet nësë dikush nuk sillet mirë me gruan e tij në martesë.
Në librin “Seksi dhe Martesa” me autor June Hunt, thuhet se disa nga qëllimet e Perëndisë në martesë është që ju të shijoni parneritetin, kënaqësinë, prindërimin dhe përsosjen në Perëndinë. Hetoni zemrën dhe përditshmërine tuaj, ku ndodheni ju tani. Një pyetje me vend për ju. Ku calon martesa juaj? Çfarë nuk po bëni mirë? Sa jeni duke sakrifikuar dhe a jeni duke u këshilluar me Perëndinë për çështjet tuaja më të rëndësishme?!? Nëse jo, jepini vetes një mundësi të dytë. Komunikoni me Perëndinë, ai i ka të gjithë përgjigjet për ju. Deri atëhere, kujtoni që jo më kot nuk jeni vendosur në familjen që jeni. Nëse për ne si njerëz, zgjedhja e prindërve apo fëmijëve del jashtë aftësive tona, Perëndia ka zgjedhur gruan/burrin dhe fëmijët tuaj. Gëzoni një nga bekimet më të mëdha në jetë…atë të familjes.