“Kapur pas lirisë” është një studim mbi shërimin shpirtëror, emocional dhe fizik. Në botën e rënë të ditëve të sotme të gjithë do të përjetojmë dhimbje dhe do të kemi nevojë për shërim emocional.Dhimbja mendore dhe fizike vjen nga shumë burime të ndryshme: vdekja e një njeriu të dashur, divorci, abuzimi, papunësia, humbja e një burse shkollimi, transferimi në një qytet të huaj, refuzimi, ankthi, emocione të papritura etj. Çdo njëra nga këto ngjarje, ka aftësinë të krijojë një ortek rrotullues me emocione të dhimbshme. Disa vite më parë, edhe jeta ime ishte në një prej këtyre ortekëve. Pikërisht atëherë ndodhi të zbuloja se isha krijuar për të qenë e lirë. Gjatë procesit të shërimit tim, Zoti më dha Tetë Hapat drejt Shërimit. Këto hapa do t’i ndaj me ju gjatë këtij studimi Bible, hapa që ne duhet të ndërmarrim për të lejuar Zotin që të na shërojë. Çdo hap i ri ndërtohet mbi të mëparshmin. Prandaj, ne do të diskutojmë nga një hap të ri veprimi në rend progresiv, çdo javë. Tetë hapat drejt shërimit janë:
Hapi 1: Të besoj se Bibla është burimi për shërimin tim.
Hapi 2: Të dalloj problemet me të cilat Perëndia dëshiron të përballem.
Hapi 3: T’i bëj Zotit pyetje të rëndësishme si: çfarë, pse dhe si?
Hapi 4: T’i besoj planit të Zotit për shërimin tim.
Hapi 5: Të kryqëzoj mishin tim.
Hapi 6: Ta përul veten përpara Zotit.
Hapi 7: Të kem besim te Perëndia për shërimin tim.
Hapi 8: Të eci përpara me Zotin dhe t’i drejtoj të tjerët në fuqinë e Tij shëruese.
Është e rëndësishme t’i mbani mend këto hapa, në mënyrë që t’i përdorni ato përgjatë gjithë jetës, si për veten tuaj, ashtu edhe për t’i drejtuar të tjerët drejt lirisë.
Shijojeni udhëtimin!

Ndërsa kalon kohë me Marta Grinmën (Greenman), brenda dhjetë minutave do të vësh re pasionin e saj të jashtëzakonshëm për Jezusin. E rritur në kishë, Marta i përshkruan vitet e saj të hershme me këtë metaforë: “Vajtja në kishë nuk të bën të krishterë, ashtu si nuk mund të jesh makinë thjesht sepse shkon në garazh.” Kjo ishte Marta. Brenda mureve të një ndërtese kishe, ajo dinte çfarë të thoshte dhe si të vepronte, por brenda shpirtit të saj, ishte e humbur. Më në fund, në moshën njëzetë e nëntë vjeçare, Marta kuptoi fuqinë çliruese të Zotit. Pasi u shpëtua, transformimi nisi të ndodhte në jetën e saj. Më 1997, Marta ndërmori udhëtimin e saj të parë misionar në Rumani. Kjo përvojë do t’i ndryshonte drejtimin e jetës. Më 1998, ajo e la
karrierën e saj në botën e biznesit amerikan për t’u bërë pjesë e stafit misionar me një organizatë ndërkombëtare kishëmbjellëse. Gjatë katër viteve që pasuan, ajo ndihmoi me drejtimin e kampeve ungjillore në vende të ndryshme në Evropën Lindore, Amerikën Jugore e Qendrore dhe Afrikë. Ndërsa ishte në fushën e misionit, ajo u mor me drejtimin e Konferencave Biblike për gra. “Shërbesa Ndërkombëtare e Ruthit” u themelua nga Marta dhe bashkëshorti i saj, Marshall, shërbesë përmes së cilës ata vazhdojnë punën e tyre në Rumaninë lindore. Në vitin 2011, Marta themeloi shërbesën “Fjalët e Hirit dhe e Vërteta”. Përmes studimeve biblike, kjo shërbesë ka si përkushtim t’i fitojë për ungjillin, si amerikanët, ashtu edhe njerëzit përreth botës. “Kapur pas lirisë” është vepra e saj e parë e botuar.

Publikime të tjera