Ndonjëherë, kur lutemi, e ndiejmë prezencën e Perëndisë shumë fort. Herë të tjera na duket sikur Zoti ka shkuar shumë larg. Dikush ka thënë me ironi: “Nëse Zoti duket sikur ka shkuar larg, gjejeni se kush ka lëvizur!” Por nuk mendoj se kjo është domosdoshmërisht e vërtetë. Sepse do të ishte e barasvlefshme me pohimin se nëse nuk mund ta “ndjesh” praninë e Zotit, atëherë Ai nuk është i pranishëm.
Ndjenjat janë diçka që pasojnë besimin, jo t’a paraprijnë atë. Më pëlqen ilustrimi i njohur i një treni, ku Fakti është lokomotiva, Besimi është vagoni i lidhur pas lokomotivës dhe pas tij vjen vagoni i Ndjenjave. Në fillim janë Faktet, pastaj vjen Besimi, dhe më pas Ndjenjat.
Moisiu deklaroi se Perëndia është gjithmonë pranë nesh kur lutemi. Që të mos kemi dyshime shkroi këto fjalë: ” Cili komb i madh ka në fakt Perëndinë aq pranë vetes, si Zotin Perëndinë tonë, që është pranë nesh sa herë e kërkojmë? ” (Ligji i Përtërirë 4:7).
Vetëm për shkak se jetojmë në një univers me përmasa të mëdhaja, mos u mashtroni të mendoni se Perëndia nuk është aty me ju kur luteni. Mos e besoni këtë gjë për asnjë moment. Zoti ynë është aq i madh sa mund të jetë i kudondodhur në të njëjtën kohë.
Kur Davidi u përpoq të mendonte për një vend ku Perëndia nuk është i pranishëm, nuk mundi të gjejë ndaj tha:
Ku do të mund të shkoja larg Frymës sate?
Ku do të mund të ikja larg pranisë sate?
Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje;
në rast se shtrij shtratin tim në Sheol, ti je edhe aty.
Në rast se marr krahët e agimit
dhe shkoj të banoj në skajin e detit,
edhe aty dora jote do të më udhëheqë
dhe dora jote e djathtë do të më kapë. (Psalmi 139:7-10)
Pra, kur luteni, kujtoni se Zoti po ju dëgjon. Moisiu tha: “Zoti, Perëndia ynë, është pranë nesh sa herë që i lutemi”. Ai i kushton vëmendje çdo fjale.