Ku është Jezusi në COVID-19?

Kriza globale aktuale, e ka çorientuar jetën tonë, por Perëndia është me ne, duke na drejtuar përmes saj.

Nga ASHLEY HALES

Shënim i redaktorit: Ndërsa përballemi me këtë pandemi, së bashku, skuadra e botimeve të In Touch do të publikojë një ese të re çdo të premte, për t’ju ndihmuar të kujtoni se çfarë është e sigurt, në kohë të pasigurta.

Filloi me zhdukjen e letrës higjenike nga raftet, dhe tani, disa muaj pasi pandemia COVID-19 ka goditur brigjet e Amerikës, duket sikur po jetojmë në ndonjë film apokaliptik. Spitale të improvizuar janë ngritur në hapësirat e braktisura të parkingjeve dhe Samaritan’s Purse ka ngritur një të tillë në Central Park. U dërgoj e-mail miqve të mi në New York City, për t’i pyetur se si janë e nëse mund të marrin frymë. Në kalendarët tanë nuk ka asgjë, përveç disa praktikave që kanë zënë vend: ecje ditore, lutje me familjen e kishës sonë, një telefonatë në Zoom me miqtë kolegë.

Ne po ndjejmë vdekshmërinë tonë. Ankthi hyn dhe na pushton si një valë. Në Perëndim, ne ndihemi të zhveshur, të zbrazët dhe të çorientuar, nën nxehtësinë e këtij realiteti të ri. Momenti ynë kulturor aktual me pandeminë COVID-19, është një moment shkretëtire për botën.

Momentet e shkretëtirës, ndërsa duken dhe ndihen si vdekje, mund të jenë gjithashtu, vendi ku Perëndia na takon. Në këtë stinë çorientuese në veçanti, ne mund të ndihemi të braktisur, të vetëm dhe të harruar nga Perëndia. Pandemia duket shumë e madhe. Edhe ndërsa kalojmë humbjet tona, ankthin, ose dhimbjen tonë, ne vajtojmë për situatën në të cilën janë njerëzit që përjetojnë varfërinë, apo shpërnguljen – njerëz që duket sikur nuk do të mbërrijnë ndonjëherë në “Tokën e tyre Të premtuar”. Çfarë duhet të bëjmë ne, të krishterët, në mes të kaq shumë vuajtjesh, padrejtësish, mëkatesh dhe vdekjesh?

Vendi i shkretëtirës në historinë biblike, nuk është kurrë, thjesht një vend braktisjeje. Kur Agari u largua nga abuzimi i zonjës së saj, Sarait, ishte pikërisht shkretëtira, vendi ku ajo takoi Zotin, të cilin ajo e thirri “Perëndia që më sheh” (Zanafilla 16:13 NIV). Kur izraelitët u çliruan nga skllavëria e Egjiptit, ishin endjet nëpër shkretëtirë, ato që i testuan dhe i ridrejtuan ata për tek Perëndia. Atje, u sigurua gjithçka për ta, edhe pse burimet e tyre ishin të kufizuar (Eksodi 15-16). Në stinë të tilla, si kjo që po kalojmë tani, ne e gjejmë veten të zhveshur nga rehatia, nga sensi i rremë i kontrollit dhe nga iluzione të tjerë që kemi, në lidhje me të qenit të pavarur nga Perëndia. Pikërisht ky, është vendi ku na ofrohet mundësia për të njohur Perëndinë, që përdor fuqinë e Tij, për njerëzit e Tij –  një Perëndi që na rrethon me re dhe me zjarr.

FUQIA E UNGJILLIT

Ndërsa përdorim fjalë të tilla si: ‘i plotfuqishëm’, për të folur për Perëndinë, ne shohim prova të rënies së botës, kudo rreth nesh: Më pak testime për COVID-19 dhe më pak kujdes mjekësor, në vendet dhe në zonat më të varfra; njerëz që janë të pastrehë dhe të burgosur, që kanë pak ose aspak burime për t’u kujdesur për veten; madje edhe ata që kanë një punësim të stabilizuar, po luftojnë me ankthin e shterimit të burimeve dhe të humbjes së mundshme të vendit të punës. Ku po shkon bota jonë?

Momentet e shkretëtirës, ndërsa duken dhe ndihen si vdekje, mund të jenë gjithashtu, vendi ku Perëndia na takon.

Shkretëtira na zbulon se si fuqia e Ungjillit, gjithmonë na zhvendos nga orientimi, në çorientim, në riorientim. Ne duam ta shmangim shkretëtirën e çorintimit tani dhe përpiqemi ta hutojmë veten me argëtim, apo me ndonjë ushqim të caktuar, sepse ne nuk dimë si të ecim përmes humbjes, vajtimit dhe pikëllimit. Por çorientimi nuk është fundi. Në tundimin e Tij në shkretëtirë, Jezusi u çua në një mal të lartë dhe iu tha të adhuronte Satanin – për ta parë fuqinë, si diçka që mund ta arrinte pa humbje. Dhe tundimi ynë, është gjithmonë anashkalimi i vuajtjes dhe arritja pa dhimbje, e një jete të mirë.

Unë ndihem e detyruar t’i bëj vetes disa pyetje:

A mund të rritem, pa vuajtje?
A besoj se Perëndia e përdor humbjen, për të më bërë më të ngjashëm me Birin e Tij?
A është e mundur që kjo pandemi të riorientojë besimin tim në fuqinë e një Perëndie të dashur dhe të mirë?

Mënyra se si u përgjigjem këtyre dhe pyetjeve të ngjashme me këto, ka lidhje me mënyrën se si kjo stinë e trazuar, do të më formojë mua personalisht – tani dhe në muajt e vitet që do të vijnë, me çfarëdo që ata të sjellin me vete.

Ftesë për në shkretëtirë

Kur kujtojmë izraelitët e vjetër, ne mund të pyesim veten, nëse Perëndia na ka sjellë në shkretëtirë për të na braktisur e për të na vrarë (Numrat 20:4). E përsëri, kjo histori na tregon se Perëndia e paracaktoi shkretëtitën, si një vend për të na shpëtuar. Në librin e saj “Një fatkeqësi e bukur”, autorja Marlena Graves shkruan: “Ai na solli këtu për të na shpëtuar, për të na treguar fuqinë e Tij, për të na ofruar ngushëllimin e Tij dhe për të bërë që të vdesë çfarëdo që është në ne e që nuk është prej Tij.” Duke qenë të vdekshëm, ne nuk e kuptojmë se si sigurimi dhe mirësia e Perëndisë, ndërveprojnë me të keqen e këtij virusi. Por ne e dimë se në ekonominë e Perëndisë, asgjë nuk shkon kot, sepse në të gjitha sprovat që ne kalojmë, Ai i përdor këto përvoja për të na shenjtëruar dhe për të na tërhequr më pranë Vetes së Tij. Shkretëtira, ose do të na tërheqë më thellë në historinë e një Perëndie të mirë, ose do të na bëjë të kthejmë shpinën, për ta drejtuar vetë mbretërinë tonë të kontrollit.

Tundimi ynë është gjithmonë anashkalimi i vuajtjes dhe arritja pa dhimbje, e një jete të mirë.

Në kohë si kjo që po kalojmë, ku po gdhendemi nga kjo shkretëtirë, ne shohim se sensi ynë i kontrollit dhe i stabilitetit, po plas si flluskë. Ne kemi një ftesë: Me fjalët e Andy Crouch: “A do ta ekspozojmë veten tonë ndaj humbjes domethënëse – për t’u bërë më të prekshëm dhe lehtësisht të lëndueshëm në botë?” Ndoshta Perëndia mund të përdorë vetëm gjërat që janë të lëndueshme.

Jeta e bollëkshme në Krishtin, ndërtohet në vende të shkretë. Shkretëtira – qoftë në kuptimin e parë, qoftë në kuptimin figurativ – përfshin një zhveshje nga çdo gjë, përveç atyre që janë thelbësore. Pikërisht në këtë vend, Jezusi u përball me tundimet e Satanit dhe duke bërë këtë, triumfoi mbi përpjekjet e dështuara të njerëzve të Tij, në shkretëtirat e tundimeve të tyre. Kjo do të thotë se, edhe ndërsa ne jemi duke u riorientuar drejt Perëndisë, edhe ndërsa luftojmë pikërisht këtë proçes (duke zgjedhur përsëri të jemi të mpirë, të arratisemi, apo të përpiqemi ta kontrollojmë vetë çdo gjë), Jezusi është më shumë, se sa thjesht një shembull për ne: Ai triumfoi mbi tundimin, në lavdi. Ai duroi kryqin. Ai u ngrit përsëri, në jetë të re – dhe gjithçka e bëri për ne.

 Kjo do të thotë se, kur zgjohemi në një shtrat ankthi të mbytur nga djersa, kur ngrijmë dhe jemi të mpirë në shumë mënyra, kur ndihemi të dëshpëruar dhe të pafuqishëm në këtë luftë globale që ndryshon nga dita në ditë, ne mund të zgjedhim të pushojmë në Krishtin.  Edhe në këtë pandemi globale shëndeti, Jezusi – që ne e thërrasim Emanuel, “Perëndia me ne” – e përmbush këtë emër.

Ndani përshtypjet tuaja me ne

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
Rreth Radio 7

Radio 7 hyri në tregun radiofonik shqiptar si një media që sjell një këndvështrim pozitiv për jetën! Radio 7 është një zë pozitiv përmes përzgjedhjeve muzikore të përditshme, programeve informative, educative dhe sociale. Ne përdorim parimet biblike në thelb të përmbajtjes së programeve tona, me dëshirën për të parë një shoqëri shqiptare ku vlerat mbrohen. Stafi dhe programet e realizuara i japin një rëndësi të veçantë mirëqënies fizike, emocionale dhe shpirtërore të çdo personi.

Licensuar në nëntor te vitit 2001, Radio 7 fillon transmetimet në 17 maj 2002 me një transmetues në malin e Dajtit, nga një studio modeste dhe me pjesën më të madhe të stafit si vullnetarë.

Është quajtur Radio 7 sepse simbolika biblike e numrit 7 është “dita e pushimit dhe paqes fizike dhe shpirtërore.” Nëpërmjet transmetimeve të saj Radio 7 kërkon t’ju jap dëgjuesve pushim dhe paqe pavarsisht se sa e zhurmshme është dita në qytetet ku jetojmë.

Radio 7 transmeton në Tiranë në frekuencën 97.7 fm, e duke filluar që nga vitet 2005-2007 jane shtuar 2 transmetues te rinj, nje ne Ardenice me qellim mbulimin me sinjal te ultesires perendimore dhe nje tjeter ne Petresh per mbulimin me sinjal te zones se Elbasanit. Sot Radio 7 transmeton ne tre frekuenca, 97,7 FM ne Tirane, 102,3 ne Elbasan dhe 88,2 ne Ardenice. Ne vitin 2009, Radio 7 ka filluar transmetimet ne internet ne www.radio-7.net.


Free!

REGJISTROHUNI