Sikurse shumë prej jush, jam trishtuar dhe me raste jam frikësuar ndërsa kam parë ngjarjet që kanë ndodhur në botën tonë, këto javët e fundit. Nën dritën e asaj që është duke ndodhur për shkak të COVID-19, ne në TGC – The Gospel Coalition ju ftojmë të bashkoheni me ne për një ditë lutjeje dhe agjërimi këtë të shtunë në datën 4 Prill.
Pse duhet të kemi një ditë për lutje dhe agjërim?
Miliarda njerëz përreth botës kanë parë të frikësuar sesi COVID-19 vazhdon të përhapet – duke infektuar qindra e mijëra persona dhe duke ndikuar shumë fort jetën e pjesës më të madhe të popullsisë së botës. Shumë gjëra tashmë kanë humbur – gjërat e tjera që mund të humbasin – kur do të marrë fund e gjitha kjo – këto i bëjnë njerëzit të jetojnë në një ankth të thellë. Për shumë njerëz, ndjenja më e frikshme nga të gjitha është pafuqia për të bërë ndonjë gjë.
Por ne adhurojmë një Perëndi sovran dhe të pushtetshëm i cili nuk është i pafuqishëm. Ne i thërrasim Atij në pikëllimin tonë për shkak se Ai është i pandryshueshëm dhe i palëkundshëm. Ai është një strehë e pushtetshme në një botë stuhish. Ne lutemi sepse, ashtu sikurse tha edhe apostulli Pal tek Filipianëve 4:6, nuk duhet të shqetësohemi për asgjë, “por në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim.”
Pse të agjërojmë?
Sikurse shkruan dhe David Kakish, “Kështu pranojmë dobësinë tonë dhe varësinë tek fuqia e Perëndisë, ndërsa presim që ai të ndërhyjë.” Prandaj, ne agjërojmë për shkak se kjo i qartëson përgjërimet tona teksa në mënyrë të dëshpëruar kërkojmë ndihmën e Perëndisë.
Së fundi, unë besoj që një ditë për lutje dhe agjërim mund të sigurojë një mundësi për t’i sjellë bashkë të krishterët nga gjithë bota, në këtë kohë “distancimi” dhe përhapje të madhe. Në prag të së Dielës së Palmave dhe në fillim të Javës së Pashkës shpresojmë që ky takim do të inkurajojë dhe përforcojë besimin e besimtarëve kudo.
Çfarë do të bëjmë?
Dita jonë për lutje dhe agjërim do të ketë tri kohë kryesore lutjeje, me lutje udhëzuese për çdo segment. Ekipi ynë ka bërë gati një libërth (online ose shkarkoje në PDF) për t’ju ndihmuar dhe udhëzuar përgjatë ditës.
Lutja e Mëngjesit: Lutje Personale
Ne ju inkurajojmë që të kaloni mëngjesin e të shtunës në lutje personale duke u fokusuar në Psalmin 27.
Lutja e Mesditës: Lutje Komuniteti
Shpresojmë që do ta kaloni këtë kohë duke u lutur me të tjerët në komunitetin tuaj. Ndoshta me familjen tuaj, apo me një grup të vogël nga kisha ose me një grup miqsh në video konferencë.
Lutja e Mbrëmjes: Lutje dhe adhurim online
Gjatë kësaj lutjeje një orëshe në Facebook dhe YouTube, vëllezër dhe motra, pastorë dhe udhëheqës shërbesash, si dhe disa muzikantë të veçanë do japin ndihmën e tyre për të na udhëzuar përmes një momenti unifikues lutjeje dhe adhurimi të përbashkët. Ju mund të luteni me ne, të ndani kërkesat tuaja të lutjes, dhe të luteni për kërkesat e të tjerëve.
Hollësitë e agjërimit janë në dorën tuaj. Ndoshta do të zgjidhni të lini një apo dy vakte ditën e shtunë, dhe ta mbyllni agjërimin në mbrëmje. Ndoshta do të agjëroni nga diçka tjetër përveç ushqimit. Zgjidhni diçka që funksionon për ju dhe familjen tuaj. Nëse nuk jeni mësuar me agjërimin atëherë ky material mund t’iu ndihmojë për të filluar.
Kur do të ndodhë?
Këtë të shtunë, 4 Prill. Koha e lutjes së mbrëmjes do të transmetohet në Faqen e TGC në Facebook dhe në Youtube në orën 19:00 – 20:00 ET (16:00-17:00 PT) [01:00-02:00 Shqipëri].
Kush do të përfshihet?
Shpresojmë që të krishterë nga e gjithë bota do të bashkohen me ne për këtë ditë lutjeje dhe agjërimi. Temat e lutjes dhe pjesëmarrësit e konfirmuar për kohën e lutjes online përfshijnë:
Lutje për
- të sëmurët dhe ata që po vuajnë (Ligon Duncan, Jen Wilkin)
- punëtorët e mjekësisë (Joni Eareckson Tada, Stephen Um)
- furnizim/ekonominë (Nancy Guthrie, John Onwuchekwa)
- qeveritarët lokalë, kombëtarë dhe globalë (Kevin DeYoung, Jeany Jun)
- udhëheqësit e kishave dhe misionarët (Darryl Williamson, Quina Aragon)
- familjet (John Piper, Melissa Kruger)
- të humburit (David Platt, Jeremy Treat)
Muzikantë që do të na udhëheqin në të kënduarit e himneve
Keith & Kristyn Getty
Shane & Shane
Austin Stone Worship
Si mund të ndihmoj në promovimin e kësaj ngjarjeje?
Nëse dëshironi ta promovoni këtë ngjarje në mediat sociale apo me kishën, ndihuni të lirë ta shpërndani këtë postim apo të shkarkoni dhe përdorni imazhet promocinale dhe vendosni një lidhje të kësaj faqjeje (TGC.org/pray) në postimet tuaja.
Publikuar gjithashtu nga Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë.
*Julius Kim (MDiv, Westminster Seminary California; PhD, Trinity Evangelical Divinity School) është presidenti i The Gospel Coalition. Julius gjithashtu shërben si bashkë pastor i kishës NewvLife Presbyterian Church dhe është profesor i jashtëm për teologjinë praktike në seminarin teologjik Westminster Seminary California, ku ka shërbyer më parë si dekan i studentëve. Ai është autor i Preaching the Whole Counsel of God [Predikimi i Gjithë Këshillës së Perëndisë]si dhe i shumë artikujve. Julius dhe gruaja e tij Ji Hee kanë dy vajza dhe jetojnë në Escondido, Kaliforni.