Të gjithë mezi i kemi pritur ditët e verës. Pasi i kemi dëshiruar kaq, kemi planifikuar, kemi shpresuar dhe pritur, vera është më në fund këtu! Ditët e gjata jashtë shtëpisë duke u argëtuar , udhëtimet dhe akulloret, janë disa nga gjërat që zbukurojnë këtë stinë . Por përpara se ta kuptojmë, gushti do të përfundojë dhe kështu vera do të ikë. Ne do t’u lëmë lamtumirën ditëve të verës duke lënë kështu pas rutinën që krijohet në këtë stinë. Do të ishte më bukur që t’i jetojmë me qëllim këto ditë të bukura plot diell. Për aq sa varet nga ne, le të kemi një verë të denjë për t’u kujtuar kur stina e vjeshtës, apo e dimrit të trokasin.
Ne do të flasim për 5 hapa praktikë për të krijuar një verë për t’u mbajtur mend:
1.Largoje aparatin dhe merr një ditar
Kjo është një mënyrë e shkëlqyer për të praktikuar këtë varg:
Jini gjithmonë të gëzuar.Lutuni pa pushim. Për çdo gjë falënderoni sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju. 1 e Thesalonikasve 5:16-18.
Është e rëndësishme që të mund të fiksoni momentet përmes fotografisë. Fotografitë dhe videot patjetër që sjellin kujtime kur i shohim më vonë. Por mos harro që ta largosh aparatin dhe të jetosh momentet që je duke dokumentuar. Kur t’i kesh duart bosh,atëherë rrëmbe një ditar dhe shkruaj një ose dy kujtime që nuk dëshiron t’i harrosh. Disa nga pjesët më të bukura të jetës tonë nuk do të dalin kurrë në median sociale, e nuk ka asnjë problem me këtë.
2.Shërbeji komunitetit tënd
Në qoftë se dikush më shërben, të më ndjekë; dhe ku jam unë, atje do të jetë dhe shërbëtori im; në qoftë se dikush më shërben, Ati im do ta nderojë. Gjoni 12:26
Përgjatë verës , ka shumë organizata jo fitimprurëse dhe kisha që zbatojnë programe për komunitetet e tyre lokale. Ndoshta ke planifikuar që të marrësh pjesë. Do të ishte akoma më mirë nëse paraqitesh më herët për të pyetur se për çfarë kanë nevojë. Mos u shqetëso shumë se sa impakt do të ketë ajo që ti bën, veç merr fëmijët, partnerin tënd dhe shërbeju atyre që ke afër. Pavarësisht nëse të duhet thjesht të mbledhësh mbeturinat, apo të shërbesh ushqim në kuzhinë, ji besnik të shërbesh dhe Perëndia ka për të bërë pjesën tjetër.
3.Fto miqtë e tu për një darkë
Pavarësisht nëse jetoni në një lagje periferike, në katin e fundit të një kompleksi apartamentesh, ose nëse jeni kthyer në shtëpi nga universiteti për verën, zgjidhni të investoni tek personat që gjenden rreth jush. Duhet kohë dhe guxim për t’i folur dikujt dhe për ta ftuar. Por kush e di, fqinjët tuaj mund të jenë të panjohur, që shpejt do të bëhen miq të rinj! Mos harroni mikpritjen, sepse disa duke e praktikuar e priten pa ditur engjëj. Hebrenjtë 13:2
4.Lidhu më shumë me fëmijët e tu
Përfito nga avantazhi që të jep vera për të pasur më shumë kohë, duke u bërë vullnetar në kampet e fëmijëve, ose në takimet e tyre gjatë verës, ose duke organizuar takime të veçanta me gjithsecilin prej fëmijëve të tu. Së bashku me vajzën, apo djalin, mund të programosh një udhëtim një ditor. Ditët janë të gjata, por ky sezon është i shkurtër , ndaj përkushtohu tek fëmijët sot.
5.Kalo kohë jashtë duke adhuruar
Një nga dhuratat më të mëdha të verës është se sjell një axhendë më të lirë dhe mundësi të reja. Përpiqu të gjesh një vend për t’u ulur jashtë dhe adhuro Perëndinë. Mund të organizosh një shërbesë adhurimi me muzikë, ose të marrësh me vete studimin e javës për Biblën, ose kalo kohën tënde të qetë vetëm me Zotin duke parë botën e mrekullueshme që Ai ka krijuar.
Nuk do të kalojë shumë kohë dhe do të gjendemi duke nxjerrë nga valixhja rrobat që përdorëm për pushime, e do të nisim të bëhemi gati për sezonin e vjeshtës. Ndryshimi do të vijë siç bën gjithmonë, por për tani le të shijojmë bukurinë e ditëve të verës. Sigurohu që t’u dërgosh të dashurve të t’u nga një kartolinë tani në verë për të përlëvduar Perëndinë për krijimin e Tij të mrekullueshëm gjatë këtyre muajve të mrekullueshëm të verës.