Komplikacionet e gripit tek fëmijët, mjekja ndan këshilla të rëndësishme për prindërit
Gripi paraqet një sëmundje akute të rrugëve të frymëmarrjes të cilën e shkakton virusi i influencës të tipit A dhe B, që zakonisht paraqitet në numër të madh ose në formë epidemie gjatë periudhës së dimrit. Në këtë periudhë të shpeshta janë edhe infeksionet me viruse të tjerë respiratorë të cilët kanë simptoma të njëjta ose të ngjashme me ato të gripit. Në praktikë është e vështirë të bëhet dallimi nëse bëhet fjalë për grip ose për një ftohje të zakonshme duke u bazuar vetëm në simptomat e manifestuara dhe pa u bërë analizë laboratorike, gjegjësisht vërtetim mikrobiologjik i shkaktarit të sëmundjes.
Anjeza Kuçi, mjeke otorinolaringologe gjatë një interviste dhënë për TV7 Albania, shpjegon komplikacionet e gripit. Sipas saj, disa nga shqetësimet kryesore lidhen me infeksionet e mundshme të veshit dhe sinoziti.
“Viroza e zgjatur e kësaj stine e cila po shoqërohet me komplikacionet orl të viruseve. Shqetësuese janë infeksionet e veshit, sinozitet(infeksionet e sinuseve)dhe faringitet dhe laringitet (infeksione fyti). Këto janë komplikacionet që na shqetësojnë sepse në momentin që nuk trajtohen mire, mund të japin probleme të parikthyeshme që mund të kenë nevojë edhe për ndërhyrje të mëtejshme. Prandaj janë shqetësuese sepse duhet të mjekohen mirë që në momentin e parë”, thotë Kuçi.
Sipas ekspertes së Shëndetësisë, zakonisht një gjendje virale mund të zgjasë 1 javë deri në 10 ditë. Fillimisht sipas saj, nis si infeksion i traktit të sipërm respirator(bllokim hundësh, sekrecione, dhimbje koke, temperaturë)dhe pas gjendjes virale(7 ditëve)fillojnë probleme si: dhimbje të forta të veshit, temperaturë e lartë, sekrecione nga veshi, bllokim hundësh, dhimbje e fortë koke apo laringitet.
Otorinolaringologja Kuçi thekson ndër të tjera se përdorimi i avujve ndihmon në lirimin e rrugëve të sipërme të ajrore.
“Përdorimi i avujve në lirimin e rrugëve të sipërme ajrore sidomos bllokimin e hundëve ndihmon shumë, krahas mjekimit medikamentoz, vetëm në fazën bakteriale dhe asnjëherë në fazën virale. Pacientët shkojnë në farmaci dhe blejnë antibiotikë pafund për të mjekuar infeksionet në fazën virale. Është mjeku që e përcakton se kur është momenti i duhur për të filluar terapinë me antibiotikë. Ky trajtim nuk mund të ndodhë asnjëherë në fazën virale, sepse është një fazë që mund të marrim thjesht mjekim simptomatik për ta kaluar atë. Mjekimet e tjera që mund të përdorim janë mjekimet e avujve që ndihmon jo vetëm për të liruar rrugët e sipërme ajrore, mund të përdorim çajra të ndryshëm(çaj dafine, mali etj)që përmbajnë edhe antioksidantë shumë të mirë dhe mund të rrisin gjendjen imunitare. Avujt ndihmojnë për pjesën e tharjes së fytit dhe sekrecioneve që mund të ndjejmë në pjesën e pasme, të cilat krijojnë momente shqetësuese dhe akcese të kollës, njëkohësisht edhe për lëngëzimin, për lagështirën e fytit në pjesën e pasme, që na ndihmon mirë për të kaluar”, thotë ajo.
Lidhur me faringitet, mjekja raporton se dhimbja e fytit mund të vijë nga arsye të ndryshme. “Mund të jetë shoqëruese e infeksionit të traktit të sipërm respirator, mund të jetë një faringit i akutizuar, pra kemi një faringit kronik dhe në momentin kur kalojmë në një gjendje virale, kemi dhimbjën që riaktivizohet sidomos tek pacientët që janë bartës të streptokokut. Në shumicën e rasteve, streptokoku është një faktor kryesor që ky faringit të akutizohet. Mund të jene edhe sinozitet kronike(sekrecionet në pjesën e pasme të hundëve)që krijojnë mundësinë për një faringit kronik. Por, një dhimbje fyti mund të vijë edhe nga problem i gjendres tiroide. Mund të jetë një tirodit autoimun që mund të shoqërohet me dhimbjen e fytit. Për vendosjen e një diagnoze mjaftojnë që të bëjmë një orofaringoskopi”.
Gjatë intervistës, mjekja ndan edhe disa këshilla të vlefshme për kujdesin që duhet të tregojnë prindërit ndaj fëmijëve.
“Të gjithë ata prindër që na dëgjojnë duhet të jenë shumë të interesuar për laringun akut tek fëmijët, që në shumicën e rasteve quhet laringit akut subglotik sepse nuk prek kordat e zërit por hapësirën poshtë kordave të zërit. Fëmija mund të ketë një virozë të traktit të sipërm me ato sekrecionet e hundës, tempertaurë të lehtë dhe akceset e kollës që i kemi karakteristike, kemi kollën si të lehurat e qenit. Pra, është kolla e thatë, pacienti ose fëmija i vogël ngrihet në mesin e natës, me kollë të thatë, me pamundësinë për të bërë një frymëmarrje normale(tirazhin respiratorë) dhe patjetër kjo është një urgjencë. Në rastin e laringitit akut tek fëmijët, prindi duhet të shqetësohet sepse kjo është një urgjencë. Në shtëpi duhet patjetër që të kemi aparatin e aerosolit, që shërben për lëngështimin e rrugëve të sipërme ajrore. Mund të bëjmë aerosol thjesht me tretësirë fiziologjike por aty mund të hedhim edhe pikat e adrenalinës të cilat merren me rekomandim mjeku apo mund të bëjmë një injeksion me ultrakorten në varësi të peshës së fëmijës apo bebit”, këshilloi ndër të tjera, mjekja për TV7 Albania.
Për të ndjekur intervistën e plotë, mund të klikoni në linkun e mëposhtëm: