Ai njeri kishte qenë i çalë për 38 vjet, aq i çalë sa ulej pranë Pellgut Betesda, por nuk futej dot vetë në ujë. “Jezusi, duke e parë shtrirë dhe duke ditur se prej shumë kohe ishte në atë gjendje, i tha: «A dëshiron të shërohesh?” (Gjoni 5:6 ). Si mendoni se është përgjigjur ai njeri? Patjetër që “po”. Ai donte të shërohej. 38 vjet është një kohë e gjatë për të qenë i varur nga të tjerët. Por vini re se nuk është kjo përgjigja që ai dha.
“Nuk mundem, Zot!”, tha i sëmuri. Më pas ai shpjegoi: “Zot, unë s’kam njeri që, kur lëviz uji, të më fusë në pellg; dhe, ndërsa unë po shkoj, një tjetër zbret para meje.” (vargu 7). I çali dinte vetëm një mënyrë se si të shërohej dhe ishte me anë të ujërave shërues të Pellgut të Betesdas. Futja në ujë për të ishte e pamundur, ndaj ai ishte i pashpresë. Situata ishte e tillë derisa erdhi Jezusi. Jezusi i solli atij shpresë dhe shërim. Ai i tha njeriut: “Çohu, merr vigun tënd dhe ec!”. Mendoni një çast për këtë. Jezusi i tha atij të bënte tre gjëra që ai nuk mund t’i bënte: Ai nuk mund të çohej, ai nuk mund ta merrte vigun e tij dhe nuk mund të ecte, të paktën jo derisa Jezusi i solli shërim. Por menjëherë, njeriu u shërua dhe filloi të ecte. Perëndia plotësoi nevojën e tij më të thellë.
A ka diçka që keni qenë duke kërkuar ta bëni, por duket aq e pamundur sa i keni humbur të gjitha shpresat? Ju keni thënë: “Nuk mundem. Kjo është e pamundur!”. A e keni menduar ndonjëherë që Jezusi mund t’i përgjigjet nevojës tuaj ndryshe nga mënyra që ju mendoni? Kërkojeni Atë sot me besim. Lejojeni Atë të vendosë se si do ta plotësojë nevojën tuaj dhe më pas prisni të shihni se si Ai do të përgjigjet.