Unë, pra, i burgosuri për Zotin, ju bëj thirrje që të ecni denjësisht sipas thirrjes për të cilën u thirrët, me çdo përulësi e zemërbutësi, me durim, duke e duruar njëri-tjetrin në dashuri. – Efesianëve 4:1-2
Bibla ka një standart të lartë kur bëhet fjalë për sjelljen e besimtarëve. Të jemi gjithmonë të përulur dhe zemërbutë. Të tolerojmë gabimet e të tjerëve. Po me një anëtar të familjes si duhet të sillemi? Po me njerëzit në internet? Po me shefin e bezdisshëm? Apo fqinjin e zhurmshëm?
A e dini se marrëdhëniet e vështira Perëndia i përdor për të na ndihmuar të rritemi? Ndonjëherë karakteristikat acaruese të dikujt tjetër janë një mekanizëm i fortë për të nxjerrë në pah të metat tona. Nëse fokusohemi gjithmonë tek gabimet e të tjerëve apo largohemi nga marrëdhëniet e vështira humbasim mundësinë për tu bërë më të përulur dhe zemërbutë.
Shumë nga ne nuk kemi dëshirë të durojmë sjelljen acaruese të dikujt tjetër, për një kohë të gjatë, vetëm e vetëm që të përmirësohemi vetë. I bindemi thirrjes që Perëndia ka për ne për shkak të dashurisë për Të, sepse Ai na dha hir kur ne vetë ishim arrogantë e të pabindur. Ai jo vetëm që na do, por na aftëson me anë të Frymës së Shenjtë të tregojmë mëshirë ndaj të tjerëve (Efesianëve 1:13-14).
Çfarë lehtësimi të dish se sjellja jonë karshi personave të vështirë nuk varet nga mirësia jonë! Sa më zemërbutë dhe të përulur të tregohemi ndaj të tjerëve me ndihmën e Frymës së Shenjtë aq më shumë do të rritemi. Jemi thirrur të japim hir ashtu sikurse na është dhënë edhe neve.
Mendo për një çast; kush mendon se ka nevojë për hir sot?