I dua kafshët. Jo vetëm ato shtëpiake. Jam rritur mes tyre e ndonjëherë i kam dashur më shumë se njerëzit. Mbase sepse nëpërmjet tyre kam mësuar dashurinë pa kushte, mirënjohjen e thellë dhe lumturinë naïve. Urrejtjen ndaj njerëzve e kam kultivuar duke parë sjelljen e tyre ndaj kafshëve. Se si i keqtrajtojnë, godasin e vrasin. Të kesh ftohtë, uri, e dhimbje dhe të mos kesh gojë të flasësh është një dëshpërim që gjuha e varfër njerëzore nuk e përshkruan dot.

Nga ana tjetër, të njëjtët humanë i sheh të bredhin rrugëve në mënyrë krejt bastarde, duke ekspozuar krenarë qentë e tyre të racës, e duke lënë pas jashtëqitjet e tyre nën hundën e qenve dhe njerëzve të braktisur, që rrëmojnë bashkë nëpër kazanët e plehrave, me shpresën për të mbijetuar edhe një ditë.

Shpejt kupton se natyra njerëzore, e skllavëruar nga e keqja, nga mungesa e dritës së arsyes dhe inteligjencës së zemrës, nuk është e aftë të dojë, makar as sa një kafshë. Për shkak të kësaj errësire në zemër të njeriut, e gjithë qenia rënkon.

Kur isha fëmijë, më kujtohet se qeni përdorej si element për të trembur fëmijët që të flinin gjumë, ose të mos bënin prapësira; “fli, se vjen qeni dhe të ha”, “haje ushqimin, se erdhi qeni”, etj.

Por, çuditërisht, të njëjtën gjë e thonin edhe për njerëzit, e më komikja ishin presionet me policë; “mos bëj prapësira se vjen xhaxhi polici dhe të merr”, “bëji detyrat se vjen polici me pistoletë”, etj.

Një kategori tjetër ishin endacakët dhe njerëzit me probleme mendore, të cilët i përshkruanin në atë mënyrë sa në përfytyrimin e fëmijëve ata dukeshin si kukudhë, apo monstra njeringrënës që të kallnin datën.

Dhe kështu njeriu shqiptar u rrit duke mësuar të ketë frikë qenin, policin dhe endacakët, apo ata që shoqëria e “pastër” njerëzore i lë jashtë. Të njëjtën haje që i rezervon qenit (jo atij të racës), njeriu ia rezervon njeriut. Sot, kur shoh statistikat e frikshme të shqiptarëve me problem mendore, të cilët nuk pranojnë të shkojnë tek psikologu, arrij ta kuptoj arsyen e tyre. Ata nuk duan të bëhen haja e qenit përballë një shoqëria përbuzëse, paragjykuese dhe tallëse.

Kjo e ka bërë njeriun shqiptar të jetojë në një këllëf çehovian që quhet “kultura e turpit”, ose kultura e të mos bërit atë që duhet bërë. Kështu, shqiptari ka turp të shkojë te psikiatri, të pranojë se ka probleme, ka turp të mos japë ryshfet kur merr një shërbim në institucionet shtetërore, ka turp të mos xhirojë gomat kur është duke e parë ndonjë vajzë, ka turp të mos paguajë gjithë tavolinin kur i duhet të ngrihet i pari prej saj, ka turp të mos shajë e të zihet me këdo që e sheh shtrembër… Me pak fjalë, ka turp të mos bëjë si i fortë në një kulturë të fortësh që është ngritur në mënyrë artificiale nga njerëz të dobët.

Para ca kohësh pamë një fëmijë që masakroi një qen me sopatë dhe u lemerisëm. Pamë një luan me sy të nxirë nga infeksioni dhe u revoltuam, u keqardhëm, u prekëm tej mase. Po sa njerëz ka që sytë nuk u zbardhen nga e rrahura e përditshme, që masakrohen me sopatë, levë, kallashnikov, që lihen pa ngrënë, që braktisen në mëshirë të fatit, që i largojnë nga shtëpia bashkë me fëmijët duke i lënë të jetojnë si kafshë në mes të pyllit, e që përjetojnë një mijë të zeza që mendja jonë as nuk na i rrok dot. Dhe kjo vetëm e vetëm sepse ne kemi turp të nxjerrim kokën nga këllëfi ku vegjetojmë frymërisht prej një jete.

Njeriu për njeriun është ujk, kam dëgjuar të thonë, por cili ujk mund të shkaktojë një plagë aq të thellë sa njeriu?! Cila shtazë është e aftë për një kafshim të tillë kaq mizor?

Jo urrejtja, por dashuria ka për ta shpëtuar njeriun nga njeriu. Na duhet një dashuri e tillë sakrifikuese, të cilën unë jam i paaftë ta shpreh më bukur se kaq:

“Po të flisja gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, dhe të mos kisha dashuri, do të bëhesha si një bronz që kumbon ose si cimbali që tingëllon. Edhe sikur të kisha dhuntinë e profecisë, edhe të dija të gjitha misteret dhe mbarë shkencën dhe të kisha gjithë besimin sa të luaja nga vendi malet, por të mos kisha dashuri, nuk jam asgjë. Edhe sikur të ndaja gjithë pasuritë e mia për të ushqyer të varfërit dhe ta jepja trupin tim që të digjej, e të mos kisha dashuri, nuk do të më vlente asgjë! Dashuria është e durueshme; plot mirësi; dashuria nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq; nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën, i duron të gjitha, i beson të gjitha, i shpreson të gjitha, i mban çdo gjë.” – 1 Korintasve 13:1-7

Autori: Marsel Lela 

Ndani përshtypjet tuaja me ne

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
Rreth Radio 7

Radio 7 hyri në tregun radiofonik shqiptar si një media që sjell një këndvështrim pozitiv për jetën! Radio 7 është një zë pozitiv përmes përzgjedhjeve muzikore të përditshme, programeve informative, educative dhe sociale. Ne përdorim parimet biblike në thelb të përmbajtjes së programeve tona, me dëshirën për të parë një shoqëri shqiptare ku vlerat mbrohen. Stafi dhe programet e realizuara i japin një rëndësi të veçantë mirëqënies fizike, emocionale dhe shpirtërore të çdo personi.

Licensuar në nëntor te vitit 2001, Radio 7 fillon transmetimet në 17 maj 2002 me një transmetues në malin e Dajtit, nga një studio modeste dhe me pjesën më të madhe të stafit si vullnetarë.

Është quajtur Radio 7 sepse simbolika biblike e numrit 7 është “dita e pushimit dhe paqes fizike dhe shpirtërore.” Nëpërmjet transmetimeve të saj Radio 7 kërkon t’ju jap dëgjuesve pushim dhe paqe pavarsisht se sa e zhurmshme është dita në qytetet ku jetojmë.

Radio 7 transmeton në Tiranë në frekuencën 97.7 fm, e duke filluar që nga vitet 2005-2007 jane shtuar 2 transmetues te rinj, nje ne Ardenice me qellim mbulimin me sinjal te ultesires perendimore dhe nje tjeter ne Petresh per mbulimin me sinjal te zones se Elbasanit. Sot Radio 7 transmeton ne tre frekuenca, 97,7 FM ne Tirane, 102,3 ne Elbasan dhe 88,2 ne Ardenice. Ne vitin 2009, Radio 7 ka filluar transmetimet ne internet ne www.radio-7.net.


Free!

REGJISTROHUNI