Pavarësisht nga të gjitha gjërat që jemi në gjendje të kontrollojmë me anë të shkencës dhe teknologjisë moderne, ka ende një gjë mbi të cilën nuk kemi kontroll—dhe kjo është fuqia e gjuhës sonë.
Jakobi përdor disa metafora të përshtatshme për të ilustruar fuqinë e gjuhës: “Ja, edhe anijet, edhe pse janë shumë të mëdha dhe shtyhen nga erëra të forta, drejtohen nga një timon shumë i vogël, atje ku do timonieri.Kështu edhe gjuha është një gjymtyrë e vogël, por mbahet me të madh. Ja, një zjarr i vogël ç’pyll të madh djeg!” (Jakobi 3:4-5).
Ndoshta mëkati më i përhapur në kishë është mëkati i gjuhës. Fjalët tona kanë fuqinë të lëndojnë ndjenjat, të shkatërrojnë reputacionin, të shkatërrojnë vetëvlerësimin dhe marrëdhëniet. Një akt i thjeshtë thashethemesh mund të prishë një dëshmi për Krishtin—e megjithatë shpesh nuk mund t’i rezistojmë tundimit!
Jezusi tha se gjërat që ne flasim janë në fakt vërshimi i asaj që kemi në zemrat tona (shihni Mateu 12:34). A është zemra juaj e mbushur me krenari, sarkazëm, akuzë apo hidhërim? Apo është e mbushur me dashurinë, inkurajimin, urtësinë dhe fuqinë e Krishtit?
E vërteta është se nuk mund t’u japim fund thashethemeve, gënjeshtrave dhe fajësimeve që krijojnë ndarje në familjet dhe kishat tona – por Perëndia mundet. Me Frymën e Tij që jeton në ne, mund të mësojmë se si t’i përdorim fjalët tona për ndërtim, për korrigjim me butësi dhe për të udhëhequr me përulësi.
Lutje: Zot, më fal për herët që kam përdorur fjalët e mia për të sjellë shkatërrim në vend të inkurajimit. Qofshin fjalët e mia enë të dashurisë dhe të së Vërtetës Tënde. Në emër të Jezusit, lutem. Amen.
“Me atë ne bekojmë Perëndinë dhe Atin, dhe me të ne mallkojmë njerëzit që janë bërë sipas shëmbëllimit të Perëndisë.Nga e njejta gojë del bekimi dhe mallkimi. Vëllezër të mi, nuk duhet të ishte kështu.” (Jakobi 3 :9-10).