Fryma e Shenjtë qorton, mëson, pajis dhe fuqizon njerëzit e Perëndisë. Përmes Tij, besimtarët rriten në hir dhe përmbushin thirrjen e Perëndisë në jetën e tyre. Para se Jezusi të ngjitej në qiell, Ai u premtoi ndjekësve të Tij se do t’u dërgonte Frymën e Shenjtë. Fryma e Shenjtë do të ishte gjithmonë me ta dhe do t’i ngushëllonte e do t’i këshillonte.
Por a keni menduar ndonjëherë për fuqinë e Frymës së Shenjtë në luftën frymërore?
Lufta frymërore nuk është një term i ri, i panjohur për ne. Në shumë pasazhe në Bibël, flitet për të. Sot, ne e dimë se kjo luftë është bërë më e ashpër, se kurrë më parë. Ne duhet të kemi zjarrin e Frymës së Shenjtë brenda nesh, për të fituar betejat e mbinatyrshme, që na presin përpara.
Perëndia ia ka premtuar Frymën e Shenjtë çdo besimtari. Ai jeton brenda nesh dhe na nxit që vazhdimisht, të jemi në praninë e Perëndisë, përmes lutjeve dhe Fjalës së Tij. Fryma e Shenjtë na jep fuqinë dhe aftësinë që të jemi dëshmitarë për Krishtin.
Në këtë program, midis të tjerash, Dan thekson: “Fryma e shenjtë do të punojë me ne, që ne të mund të prodhojmë fryte. Frytet e Frymës vijnë nga fuqia frymërore. Bibla është ushqimi ynë. Ju duhet të keni një kohë për të studiuar, jo vetëm për veten tuaj, por edhe që të keni diçka për t’u dhënë të tjerëve. Ne duhet të mbushemi me Frymën, deri sa të derdhemi. Fryma e shenjtë vjen tek ata që janë të etur për Të.
Sot ka shumë shpërqëndrime në botë. Pa Frymën e Shenjtë, kisha është thjesht një klub dhe mësimdhënia jonë është thjesht një nga mësimet dhe filozofitë e botës. Nëse jemi vërtet të krishterë dhe ndjekës të Jezusit, ne kemi diçka që nuk e ka asnjë fe, apo filozofi tjetër në botë. Ne kemi një fuqi të përjetshme dhe të mbinatyrshme, që bën shumë vepra në jetën e njerëzve. Ky është Fryma e Shenjtë.”
Autoriteti që kemi, na është dhënë nga Perëndia, përmes Frymës së Shenjtë, për të bërë luftën e drejtë të besimit!
“… le të flakim, pra, veprat e errësirës dhe të veshim armët e dritës!” (Romakëve 13:12)
Programin e plotë të transmetuar në Radio 7 mund ta dëgjoni në linkun e mëposhtëm.