Lexo: Fjalët e urta 9:9-12
Duhet të kishte qenë e vështirë, por Joeli ishte i detyruar t’i kërkonte falje familjes Peterson për sjelljen e tij të keqe në kishë. Ai gjithashtu duhet t’iu thoshte atyre se shpresonte që ata të mund të ktheheshin sërish në kishë.
Për habinë e Joelit, familja Peterson u kthye pikërisht të dielën tjetër. “Sa mirë!” mendoi ai kur ata i buzëqeshën miqësisht ndërkohë që po hynin në kishë.
Para se të fillonte shërbesa, babai i Joelit mori një bllok dhe një stilolaps. Ai ia dha ato Joelit. “Dua të shkruash të paktën tre gjëra që pastori do të mësojë ose do të flasë në mesazhin e tij sot,” e udhëzoi babai. “Mendoj se mbajtja shënim e gjërave do të të ndihmojë të dëgjosh më me kujdes.”
“Duhet ta bëj patjetër këtë?” pyeti Joeli. “Unë… në të vërtetë unë nuk e kuptoj shumë atë për të cilën flet pastor Heri, por mos u shqetëso, do të rri në heshtje. Të jap fjalën.” Babai thjesht i buzëqeshi dhe vazhdoi të mbante drejt tij bllokun. Joeli psherëtiu ndërkohë që tundi kokën dhe mori bllokun e stilolapsin.
Fillimisht Joeli bëri shumë shkarravina, por më pas filloi të dëgjonte për kuptuar ato gjëra që do të shkruante.
Ai u habit që arriti ta kuptonte mesazhin më shumë nga ç’e kishte pritur. Në fund të shërbesës ai kishte shkruar pesë gjëra që pastori kishte mësuar, dy më shumë nga sa i kishte thënë babai. “Kjo nuk është edhe aq keq,” mendoi Joeli.“Besoj se arsyeja përse nuk i kam kuptuar asnjëherë mesazhet e pastor Herit është se në të vërtetë nuk i kam dëgjuar ato me vëmendje!”
Pas kishës Joeli i tregoi pastorit shënimet e tij. “Do ta bëj këtë çdo javë, pastor Heri,” tha ai.
“Të lumtë!” pohoi pastori. “Kjo është ide shumë e mirë. Përse nuk ia sugjeron edhe fëmijëve të tjerë? Kush e di? Atyre mund t’iu pëlqejë po kaq sa edhe ty.”
“Epo… mirë,” pranoi Joeli, por ai ishte shumë i bindur se fëmijët e tjerë do të mendonin se po sillej çuditshëm. “Oh, në fakt, nuk do të ndodhë asgjë nëse ua sugjeroj këtë,” vendosi ai.
“Më pëlqeu shërbesa këtë mëngjes,” tha ai kur po kthehej në shtëpi. “Familja Peterson u kthye dhe tani di një mënyrë të lehtë për të mësuar diçka nga shërbesat e pastor Herit. Mbajtja e shënimeve i bën ato më interesante.” Joeli i buzëqeshi të atit dhe shtoi: “Mendoj se edhe ti duhet ta provosh, babi.”.
Ke provuar të mbash shënime në shërbesat e pastorit tënd? Mund të jetë një mënyrë e mirë për të të ndihmuar të mësosh më shumë për Perëndinë dhe të rritesh në besim e në marrëdhënie me Të. Nëse pastori yt thotë një fjalë që ti nuk e kupton, mbaje shënim dhe pyete për të. Gjithashtu mund të pyesësh prindërit që të flisni së bashku rreth mesazheve. Ata mund të të ndihmojnë të kuptosh atë që pastori po mëson nga Fjala e Perëndisë.