I ftuar në programin “Krash”, në Radio 7 ditën e sotme ishte pastori Ermir Taja. Ai së fundmi ka sjellë albumin e tij të katërt “Dritën Ndriço”.
Në fillim të intervistës, ai u shpreh se ungjilli, muzika dhe adhurimi janë në zemrën e tij dhe ky album është albumi i pandemisë.
“Në zemrën time është muzika, adhurimi, ungjilli, muzika ungjillore, pra disa gjëra që janë shumë të nevojshme në kishën shqiptare. Jo vetëm vetëm thjesht si një histori, por si një investim i mirë që duhet të bëjmë në ato dhunti dhe aftësi që Zoti na ka dhënë dhe Zoti më ka dhënë mua këto gjëra. Unë gjithmonë kam qenë me një lutje përpara Perëndisë: Ja ku jam Zot, më përdor”.
Albumi “Dritën Ndriço” përmban 10 këngë, disa prej të cilave janë shkruar dhe kompozuar edhe nga bashkëshortja e tij, Vita Taja. Këngët janë krijuar duke u bazuar në momente dhe histori të hershme, ku Zoti i ka prekur personalisht.
“Kjo është një nismë e hershme, por sigurisht në këtë rrugëtim me adhurimin, me muzikën, në ecjen me Perëndinë, patjetër që Perëndia freskon dhe sjell shumë gjëra të bukura dhe të paimagjinueshme. Në këto 10 këngë, ka këngë që vijnë nga momente dhe histori të hershme ku Zoti na ka prekur personalisht, jo vetëm mua, por edhe nusen time sepse edhe ajo shkruan dhe kompozon këngë. Por disa vijnë edhe nga vetë historia e kishës”.
Në fund, pastori shton se dëshira është që të bëhet edhe një promovim i albumit, duke përfshirë edhe artistë dhe muzikantë të tjerë të krishterë.