Diabeti është çrregullimi i metabolizmit që reflektohet në paraqitjen e sasisë jonormale të glukozës në gjak, si pasojë e rezistencës së qelizave të gjakut ndaj insulinës, apo si pasojë e sasisë së vogël të insulinës së sekretuar nga pankreasi.
Sot në botë nga diabeti janë të prekur 370 milion njerëz ose 8.3 përqind e popullsisë. Në vitin 2030 mendohet se numri i të prekurve do të shkojë në 552 milion ose 9.9 përqind e popullsisë. Çdo 10 sekonda në botë preken 2 persona të tjerë me diabet dhe çdo 8 sekonda vdes një tjetër, nga shkaqe që lidhen me diabetin.
Mjeku endokrinolog pranë Shërbimit të Endrikronologjisë pranë Qëndrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, prof. Florian Toti në një intervistë për TV7 Albania shpjegon llojet e diabetit dhe shkaqet e zanafillës së sëmundjes.
“Diabeti ndahet në 4 tipe. Tipi 1, tipi 2, diabeti gestacional(diabeti që zbulohet gjate shtatzanisë)dhe në tipin e katërt futen të gjitha tipet e tjera të diabetit( si diabeti i pleqërisë, diabeti për shkak të trajtimit me kortizonikë, nga kequshqyesja etj).
Diabeti është një sëmundje që ka lidhje me mungesen e insulinës ose insulina nuk prodhohet nga organizmi sic është rasti i diabetit tip 1. Pankreasi prodhon insulinën në varësi të vlerave të sheqerit në gjak. Sapo vlerat e sheqerit kanë tendencë të rriten, trupi prodhon insulinën që ta normalizojë. dhe kur shifrat e sheqerit rriten, trupi e ndërpret prodhimin e insulinës. Roli i insulinës është të mbajë brenda normës vlerat e sheqerit në gjak. Është i vetmi hormon që ul vlerën e sheqerit në gjak. Insulina duhet të përballojë sheqerin që vjen nga ushqimi dhe sheqerit që vjen si pasojë e veprimit të hormoneve të tjerë që quhen hiperglicemianë, anti-insulinikë që kundërshtojnnë veprimet e insulinës”, tha Toti për TV7 Albania.
Pjesa më e madhe e të prekurve sipas tij, janë me diabet të tipit 1 dhe 2.
“Pjesa me e madhe e të prekurve janë me diabet të tipit 1 dhe tipi 2. Tipi 1 është si pasojë e një procesi autoimun. Trupi fillon të shkatërrojë qelizat Beta që prodhojnë insulinën dhe në këtë mënyrë fillon mungon gjithmonë e më tepër insulina. Me kalimin e kohës 6-12 muaj, këta të sëmurë kanë shenjat klasike të diabetit dhe kanë nevojë për trajtim me insulinë për gjithë jetën. Duke qënë se fillon shpesh në moshat e reja, ky dikur quhej diabeti i të rinjve, ose diabeti insulino-vartës që kanë nevojë për trajtim të insulinës gjatë gjithë jetës. Janë terma që nuk ekzsitojnë më sot sepse me diabet tip 2 që dikur kishim vetëm të rritur, tani kemi edhe fëmijë 10 vjeç.
Tipi 2 i diabetit është një lloj tjetër i diabetit që fillon pas moshës 40 vjeç por sot kemi edhe fëmijë me diabet tip 2 tek i cili nuk është se nuk prodhohet insulinë, përkundrazi, kanë insulinë më tepër seç duhet por insulina nuk arrin të luajë rolin e saj. Në këto raste trupi prodhon insulinë që të përballojë vlerat e sheqerit, nga ana tjetër con në rritje të oreksit, shtim të peshës trupore dhe futemi në një rreth vicioz që pankreasin e lodh më tepër. Një pjesë e mirë e personave me diabet të tipit 2, kanë nevojë për trajtimin me insulinë. Për fat të keq, diabeti tip 2 po shtohet vazhdimisht dhe ka marrë pamjen e një pandemie globale. Çdo vit në botë janë 7-8 milion persona të rinj që diagnostikohen me diabet.
Diabeti gestacional(diabet qe zbulohet gjate shtatzanisë)dhe në tipin e 4 futen të gjitha tipet e tjera të diabeti( si diabeti i pleqërisë, nga trajtimi me kortizonikë, nga kequshqyesja etj). Dua të bëj një diferencim midis diabetit që zbulohet gjatë shtatzanisë, me një grua që është me diabet dhe që ngelet shtatzanë. Kujdesi i një gruaje që mbetet shtatzanë është shumë i rëndësishëm, dhe duhet të fiillojë përpara se ajo të mendojë koncepsionin, në mënyrë që fëmija të mos rrezikojë”, shpjegon ndër të tjera mjeku.
Mjeku Toti thotë se grupet më të rrezikuara janë: mosha mbi 40 vjeç , personat që kanë të afërm me diabet, personat obezë, persona sedentarë, personat që kanë yndyrnat e larta, personat që vuajnë nga hipertensioni, ata që kanë infeksione të shpeshta të lëkurës ose te organet gjenitale dhe te gratë nëse kanë lindur fëmijë mbi 4 kg ose në qoftë kanë pasur diabet gjatë shtatzanisë.
Mjeku rekomandon po ashtu shmangien e sheqernave të thjeshta duke filluar nga ëmbëlsirat, pijet e ëmbla për të vazhduar me ushqimet me yndyrna sidomos yndyrë shtazore, pijet alkoolike dhe energjike.
Për të ndjekur intervistën e plotë, mund të klikoni në linkun e mëposhtëm: Doktori në familje – Diabeti dhe parandalimi i tij. Dr.Prof.Florian Toti – YouTube