Tani për tani, një luftë e padukshme po ndodh. Po zhvillohet një betejë shpirtërore dhe ne jemi në mes të saj.
Pali shkroi: “Sepse lufta jonë nuk është kundër mishit dhe gjakut, por kundër sundimtarëve, kundër autoriteteve, kundër fuqive të kësaj bote të errët” (Efesianëve 6:12).
Jakobi shkroi: Nënshtrojuni, pra, Perëndisë, kundërshtoni djallin dhe ai do të largohet nga ju! (Jakobit 4:7)
Pjetri shkroi: Jini të përmbajtur, rrini zgjuar; sepse kundërshtari juaj, djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë. (1 Pjetrit 5:8)
Në këto letra ne shohim një temë të përbashkët: Armiku ynë, djalli po punon dhe nëse nuk jemi vigjilentë, lehtë mund të bëhemi pre e skemave të tij.
Satani do të bëjë gjithçka që mundet, që të na bëjë të pengohemi në garën tonë të besimit. Në fakt, ai do të dëshironte të shihte që ne ta humbnim garën plotësisht. Përmes mashtrimit dhe tundimit, ai punon për të prishur marrëdhëniet tona, dëshminë tonë dhe përkushtimin tonë ndaj Krishtit. Çfarë mund të bëjmë për të siguruar që taktikat e armikut nuk do të kenë sukses?
Fjala e Zotit na tregon se : “Fuqia hyjnore [e Krishtit] na ka dhënë gjithçka që na nevojitet për një jetë të perëndishme” (2 Pjetrit 1: 3). Ne nuk jemi të pafuqishëm në këtë betejë shpirtërore, sepse Krishti tashmë na ka dhënë fitoren. Përmes Frymës së Shenjtë, ne mund të bëjmë të vdesin dëshirat tona tokësore dhe t’i vendosim mendjet tona tek Zoti.
Kur e gjejmë veten duke rënë në zakone të vjetra, ne mund të fillojmë t’i marrim ato mendime robër dhe t’i dorëzojmë te Krishti (shih 2 Korintasve 10: 5). Në vend që të ikim thjesht nga tundimi, ne gjithashtu mund të ndjekim në mënyrë aktive drejtësinë.
A ka ndonjë gjë që ju pengon të vraponi në garën tuaj? Vazhdoni t’i kërkoni Zotit forcë. Vazhdoni të vishni armaturën tuaj shpirtërore. Herën tjetër kur do të lëkundeni në garë, mos u dorëzoni dhe mos u dëshpëroni. Qëndroni në Fjalën e Zotit dhe mos harroni se Krishti tashmë ju ka dhënë fitoren.