Tek Psalmi 28:7, fjala e Zotit thotë: Zoti është forca ime dhe mburoja ime; zemra ime ka pasur besim tek ai dhe unë u ndihmova; prandaj zemra ime ngazëllen dhe unë do ta kremtoj këtë me këngën time.
Kemi kaq shumë për të qenë mirënjohës në këtë jetë, çdo ditë. Por realiteti është se ndonjëherë kërkesat e vazhdueshme të jetës, betejat dhe shqetësimet marrin më tepër përparësi dhe ne harrojmë të kemi një zemër falenderuese. Shpeshherë ‘harrojmë’ të falenderojmë Zotin për gjithçka që ka bërë dhe vazhdon të bëjë në jetën tonë.
Situatat e caktuara që vijnë papritur në jetën tonë, e bëjnë të vështirë lavdërimin dhe falenderimin. Ndonjëherë mund të ndihemi të lodhur teksa luftojmë dhe në mes të betejave të jetës mund të duket sikur Zoti na ka braktisur. Ne mendojmë se Zoti duket i largët, ose nuk interesohet vërtet për atë që na shqetëson.
Por e vërteta nuk është e tillë, këto janë thjesht gënjeshtrat e satanit. Ne kemi një zgjedhje, çdo ditë për ta falënderuar atë. Dhe me një zemër falënderuese, ne e kuptojmë se pa marrë parasysh me çfarë përballemi, Zoti nuk punon vetëm për të ndryshuar situatat tona dhe për të na ndihmuar në zgjidhjen e problemeve tona, pasi Ai bën më shumë.
Ai na ndryshon zemrat. Fuqia e Tij përsoset në një zemër falenderuese dhe në një mendje të përqëndruar tërësisht tek Ai. Kur ne jemi falenderues, paqja dhe gëzimi i Zotit qëndrojnë me ne pavarësisht nga rrethanat ku gjendemi.
Pavarësisht nga situata jote e tanishme, ose betejat që mund të jesh duke u përballur, zgjidh të kesh një zemër falenderuese dhe ji mirënjohës.
Pse duhet të jesh mirënjohës?
- Mirënjohja të largon sytë nga vetja dhe të ndihmon të përqendrohesh tek Zoti.
- Të kujton se i shërben një Zoti të Fuqishëm.
- Mirënjohja të mban në një vend përulësie dhe varësie nga Ai, pasi njohim sa shumë kemi nevojë për Të.
- Mirënjohja të tërheq vëmendjen nga problemet e tua dhe të ndihmon që të reflektosh për mirësinë e bekimeve të Tij të shumta.
- Ajo të kujton se Zoti është Dhuruesi i të gjitha dhuratave të mira. Zoti është Siguruesi ynë dhe të gjitha bekimet dhe dhuratat na janë dhënë nga dora e Tij.
- Një zemër mirënjohje nuk lë vend për t’u ankuar sepse është e pamundur të jesh vërtet mirënjohës dhe i mbushur me negativitet dhe mosmirënjohje në të njëjtën kohë.
- Mirënjohja e bën armikun të marrë arratinë. Forcat e errësirës nuk mund të qëndrojnë rreth zemrave që falënderojnë dhe nderojnë Zotin.
- Njëkohësisht një zemër falenderuese hap derën për bekime të vazhdueshme. Zotit i pëlqen t’u japë dhurata të mira fëmijëve të Tij. Ai kënaqet në mirënjohjen tonë dhe derdh shpirtin e Tij dhe favorin ndaj atyre që i japin nderim dhe mirënjohje Atij.
Ndoshta tani jeni në një situatë të vështirë. Ndoshta ndiheni sikur Zoti ju ka lënë vetë, ose beteja duket shumë e vështirë. Ndoshta keni vështirësi financiare dhe nuk mund të kuptoni se si t’i bëni gjërat të funksionojnë. Pavarësisht gjithçkaje dhe çdo gjëje që vjen kundër jush zgjidhni një zemër mirënjohjeje sot. Bëni një listë të të gjitha gjërave që Zoti iu ka bekuar dhe ka mbushur jetën tuaj.
Kini besim, mos e humbni shpresën, Ai e di se çfarë ju shqetëson dhe është duke punuar që të gjitha gjërat të bashkëveprojnë për të mirën tuaj. Mos e lëshoni dorën e tij, mbajini sytë tek Jezusi dhe Ai do iu nxjerrë të sigurt dhe më të fortë nga situata ku jeni.