Rastet e abuzimeve seksuale janë kthyer në një fenomen mjaft shqetësues për shoqërinë shqiptare. Fatkeqësisht, në muajt e fundit ngjarje të tilla tepër të rënda kanë ardhur në rritje, ku shpeshherë dhuna dhe abuzimet seksuale lënë pasoja fizike dhe psikolgjike tek të abuzuarit. Viktima dhe pre të abuzimeve shpesh herë kanë qenë të miturit, apo edhe persona me aftësi të kufizuara e probleme të shëndetit mendor.
Për të diskutuar për këtë temë në një lidhje telefonike për programin “Zgjohu Pozitiv” në Radio 7 ishte psikologia Mirela Gjoni.
Ajo u shpreh se ky është një fenomen që ka ekzistuar më herët, por më përpara nuk bëhej publike dhe mbahej vetëm brenda dyerve të familjes. Kurse sot ka një tendencë në rritje të individëve që thyejnë tabunë e mentalitetit dhe vendosin të denoncojnë rastet e abuzimit.
Psikologia shprehet se kategoria më e riskuar ka qenë dhe vazhdon të jetë ajo e fëmijëve dhe të rinjve.
“Fëmijët dhe të rinjtë janë në një moshë zhvillimi, në një moshë më të brishtë, kanë instrumenta me pak se të rriturit për të menaxhuar një marrëdhenie dhe prandaj bien shpesh pre e këtyre abuzimeve nga personat e tjerë”.
Roli i familjes, shoqërise dhe psikologut është shumë i rëndësishëm në këtë fenomen.
Më tej, Gjoni shprehet se çdo marrëdhënie e dhunshme lë pasoja tek çdo individ dhe sidomos tek fëmijët. Prandaj është e rëndësishme që ne si shoqëri të zhvillojmë gjuhën e dashurisë dhe respektit reciprok dhe vetëm në këtë mënyrë këto fenomene do minimizohen.
“Çdo marrëdhënie e dhunshme duhet të dinë që lë pasoja tek çdo person dhe aq më shumë tek fëmijët. Ne duhet të zgjedhim gjuhën e dashurisë dhe respektit dhe atë që ne do të mbjellim si shoqëri do të korrim sot, nesër dhe gjithmonë. Prandaj do t’iu lutesha ta lëmë gjuhën e urrejtjes dhe përçarjes, por le të zhvillojmë tek fëmijët tanë, me të afërmit tanë, në komunitetin tonë dhe më gjerë, një gjuhë të re, gjuhën e dashurisë dhe respektit reciprok dhe do shohim që pastaj dhe këto fenomene do ulen dhe minimizohen”.
[su_youtube_advanced url=”https://www.youtube.com/watch?v=GvZo8wQfI-A”]