6 Herë kur mund të thoni “Jo”
Do të flasim për të gjitha ato herë kur duhet të thuash thjesht “Jo”. Duhet të mësojmë që të themi jo pa pasur ndjesi faji. Është në rregull, madje është e shëndetshme të vendosësh kufij. Duhet të mësojmë që të respektojmë dhe të kujdesemi edhe për veten. Kështu pra jepini leje vetes që t’u thoni jo gjërave që ju bëjnë të palumtur, apo ju marrin shumë energji.
Roy Blauss, i famshëm për citimet e tij ka thënë “ Ne duhet që të zhvillojmë aftësinë për t’u thënë jo aktiviteteve për të cilat nuk kemi kohë, talent apo për të cilat nuk kemi ndonjë interes, apo pasion të madh. Nëse mësojmë që t’u themi jo disa gjërave, atëherë ne do të jemi të aftë që t’u themi po gjërave që kanë më shumë rëndësi për ne.”
Është e çuditshme sesi nja fjalë kaq e vogël siç është fjala “ jo” mund të ketë një impakt kaq të rëndësishëm. Lena Dunham, e cila është aktore, shkrimtare dhe producente ka treguar me detaje sesi ka ndryshuar jeta e saj që kur ajo refuzoi që të përjetonte këtë përzierje midis dyshimit tek vetja dhe nevojës që të ishte gjithmonë një njeri pranues. Këtu ajo nisi të përdorë fjalën me dy shkronja.
Ajo thotë “ Ishte një proces i ngadaltë, por një “jo” e thënë me mirësjellje hyri shpejt në mënyrën time të komunikimit… dhe diçka e mrekullueshme ndodhi, jeta ime personale u bë më e lehtë. Njerëzit përgjigjen mirë ndaj ndershmërisë dhe realitetit. Ata kuptojnë. Dhe kur nisa të them “jo” , fjala “po” shpërtheu për shumë gjëra të tjera që ishin me të vërtetë të rëndësishme për mua. Është këndshëm ta mendosh sesi funksionon.”
Do të ishte mirë të provonim të njëjtën metodë që ka provuar aktorja Dunham. Të shërben vërtetë shumë që të njohësh nevojat e tua dhe t’i respektosh ato. Po parashtrojmë 6 herë se kur është në rregull të thuash “jo”
1. Kur jeni i lodhur
Gjumi padyshim që nuk është vetëm për ata që ndihen të dobët. Nëse ndiheni se nuk keni më energji, mos u ndieni i detyruar për të marrë pjesë në diçka. Studimet tregojnë se të privosh veten nga gjumi, nuk është një lojë : Kjo mund të ndikojë në sistemin tuaj imunitar dhe në gjendjen shpirtërore dhe të rrisë mundësinë për ndonjë sëmundje. Nuk ja vlen të lini pas dore gjumin.
2. Kur nuk ndiheni rehat
A ju kanë ftuar miqtë në një festë ditëlindje , dhe nuk ju duket shumë e përshtatshme të shkoni? Nëse mendimi se duhet të shkoni atje nuk ju bën të ndiheni mirë, merreni në konsideratë. Situata të tilla krijojnë gjendje stresi, e cila është e panevojshme dhe mund të shmanget plotësisht.
Është e nevojshme ndonjëherë të dalim nga zona jonë e rehatisë , por kur nuk ndihesh mirë për atë çfarë po bën, trego kujdes. Kërkimet tregojnë se receptorët tonë të alarmit, janë një fenomen real. Ndonjëherë është mirë që t’i dëgjosh.
3. Kur nuk e menaxhoni dot si duhet kohën
Zakonisht kur njerëzit thonë “ Jam i zënë” , e shprehin këtë gjë si diçka që i nderon, e sidomos kur janë në vendin e punës. Megjithatë ky mentalitet mund të çojë në mbilodhje dhe probleme serioze të shëndetit siç është edhe stresi kronik.
Presidentja dhe redaktorja e Huff Post, Arianna Huffington ka shkruar në një blog mbi ezaurimin në punë. Ajo thotë:
“ Edhe nëse suksesi profesional është ajo çfarë ka më shumë rëndësi për ty, ta privosh veten tënde nga gjumi i mjaftueshëm, mos ta lejosh trupin tënd të rigjenerohet, të punosh pa u shkëputur e të mos lesh kohë për një reflektim të qetë dhe për ata që ti do-nuk është një strategji e duhur dhe e qëndrueshme për karrierën tënde. Sasia e punës dhe cilësia e saj janë dy gjëra krejt të ndryshme.”
Nëse e shihni veten se jeni vazhdimisht shumë i zënë dhe i ngarkuar ka ardhur koha t’i thoni jo angazhimeve të tepërta.
4. Kur nuk keni interes për diçka
Jeta në tokë është e shkurtër për të shpenzuar energjinë tuaj në rrethana që nuk kënaqin as mendjen e as zemrën tuaj. Vazhdimisht ju duhet të ndiqni aktivitete dhe rrethana që ju ndihmojnë të rriteni në vend të atyre që thjesht mbushin axhendën dhe prej të cilave nuk merrni asnjë kënaqësi. Ky rregull vlen veçanërisht për jetën tuaj profesionale. Kërkimet kanë treguar se punët që kanë vlerë dhe kuptim të plotë, i bëjnë punonjësit më të lumtur. Ju duhet diçka që ngacmon interesin tuaj. Ndiqni këto mundësi sa më shumë që të jetë e mundur.
5. Kur thoni “po” vetëm për të kënaqur dikë.
Kur i shtypnni gjithmonë nevojat tuaja dhe i nënvleftësoni ato është me të vërtetë e pashëndetshme. Sipas një studimi të vitit 2012, njerëzit që kërkojnë vazhdimisht të kënaqin të tjerët mund të bien pa vetëdije në presione të pafolura sociale. Me fjalë të tjera këta njerëz thonë shpesh “po” pa e menduar njëherë mirë në fillim se çfarë duan.
Kujtohuni se ju duhet të jesni avokat i vetes suaj. Të kujdesesh për veten nuk është gjithmonë egoizëm.
6. Mund të thoni jo sa herë që dëshironi.
Përfundimisht kjo është jeta juaj. Bëni ato zgjedhje që janë më të mirat për ju dhe që do t’ju ndihmojnë të jeni më mirë. Nëse kjo do të thotë të shkëputeni nga diçka, atëherë bëjeni. Duke i thënë “jo” rrethanave që nuk i doni në jetën tuaj, po u thoni “po” vetes dhe gjërave që ju bëjnë një njeri më të mirë. Kështu u bëni mirë edhe atyre që qëndrojnë rreth jush, sepse ju shohin më të gëzuar – kjo është një gjë e mrekullueshme