Nipi ynë i madh ishte vetëm një foshnjë mbrëmjen kur vajza jonë i tha të vinte në tavolinë për të ngrënë darkën. Ajo u habit kur e dëgjoi atë të thoshte: “Jo, mami. Nuk do të vij. Tani po luaj.”. Siç mund ta merrni me mend, atë ditë ai mësoi kuptimin e vargut në Shkrime që thotë: “Ju bij, bindjuni prindërve në çdo gjë, sepse kjo është e pëlqyeshme për Zotin” (Kolosianëve 3:20).
Kur ajo ma tregoi atë që kishte ndodhur, u ndjeva disi në faj. Sa e sa herë ia kam thënë Perëndisë këtë kur Ai i ka folur zemrës sime për diçka që ka dashur nga unë? “Jo, Zot, unë dua diçka tjetër.” Dëgjoni, ekziston edhe një fuqi tjetër në jetën time, përveç fuqisë së Perëndisë, madje është një fuqi e fortë. Është vullneti im, dhe megjithëse nuk dua ta pranoj, shumë herë vullneti im ndryshon nga vullneti i Perëndisë.
Beteja për të më dalë e imja është esenca e mëkatit. Isaia shkroi: “Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet” (Isaia 53:6). Rruga jonë binte në kundërshtim me rrugën e Perëndisë.
Vullneti i njeriut është një forcë shumë e fuqishme. Me vullnetin tim mund të zgjedh të fal ose të mbaj mëri, t’i afrohem Zotit ose të mbaj distancë, ta adhuroj Atë ose të ankohem. Unë mund të zgjedh të lutem ose të gjej përgjigjet e mia, të kem besim ose të kem frikë, ta jetoj jetën me forcën time ose me forcën e Tij.
Çdo ditë unë kam nevojë të shkoj te Zoti dhe të them: “Çfarë do që unë të bëj sot?”. Te Letra dërguar Romakëve, kapitulli 12, na thuhet që ta paraqesim trupin tonë si fli të gjallë para Zotit. Por siç ka theksuar dikush, problemi i të jetuarit me sakrificë është që njerëzit zvarriten për t’iu larguar altarit. Ja pse kam kuptuar se duhet ta paraqes veten te Zoti çdo ditë. Cilin vullnet do të bëni sot? Tuajin apo të Perëndisë?
A jeni lutur sot sipas Mateut 6, vargu 10?