Ky libër i ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh simbas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh. –Jozueu 1:8
A e keni gjetur veten ndonjëherë midis dy opsioneve dhe ju duhet të zgjidhni njërën prej tyre pikërisht në një moment shumë kritik të jetës suaj? Marrja e vendimeve mund të jetë një torturë e vërtetë.
Luftojmë në marrjen e vendimeve sepse kemi nevojë për urtësi. Dhe Perëndia e di ndaj na dha Biblën si udhërrëfyesin e jetës sonë. Bibla është një koleksion historish dhe letrash që zbulojnë karakterin e Perëndisë përgjatë historisë. Por ka gjithashtu edhe udhëzime për jetën. Perëndia ka shpalosur vlerat dhe parimet e Tij në Bibël, për të na ndihmuar të përballemi me çdo situatë të jetës.
Davidi në librin e Psalmeve thotë: “Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim.” (Psalmet 119:105). Sa herë lexojmë Biblën, mësojmë mënyrat se si Perëndia na ka krijuar që të mëndojmë, flasim dhe veprojmë. Kur ecim sipas udhëzimeve të Perëndisë, do të jetojmë jetën e mrekullueshme që Perëndia ka për ne. Gjithashtu na janë dhënë edhe paralajmërime që na ndihmojnë të shmangim tundimet që çojnë në shkatërrimin e jetës sonë.
Ripërtëritja e mendjeve tona ndodh gradualisht nëpërmjet fuqisë së Frymës së Perëndisë në ne nga njëra anë dhe bashkëpunimit tonë nga ana tjetër. Kjo është arsyeja pse Perëndia na thotë që “që libri i ligjit të mos ndahet nga goja [jonë]… po të mendohemi për të ditë e natë (Jozueu 1:8). Ndaj kemi nevojë që ta dëgjojmë të vërtetën përsëri e përsëri dhe t’i kërkojmë Perëndisë që të na ndihmojë ta kuptojmë dhe ta jetojmë atë.
A keni nevojë për urtësi? Zgjidhni një varg nga Bibla që i flet zemrës suaj dhe vendoseni në një vend ku mund ta shihni çdo ditë. Ose provoni të takoheni me njerëz të tjerë një herë në javë për të lexuar dhe diskutuar fragmente nga Bibla. Mund të kërkoni gjithashtu edhe planet për leximin e Biblës ose të shkarkoni ndonjë aplikacion biblik për t’ju orientuar ndërsa kërkoni urtësinë e Perëndisë.