Çdo ditë, miliona njerëz luten me lutjen e Zotit pa e kuptuar se çfarë do të thotë të lutesh: “Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullneti yt në tokë ashtu si në qiell” (Mateu 6:10). Kur i lutesh në këtë mënyrë Zotit, po i thua: “Ti sundon mbi jetën time”. Si ndjekës të Krishtit, po i premtojmë besnikërinë tonë Atij duke i thënë: “Mbreti Jezus, prioritetet e tua qofshin preokupimi im.”
Nuk mund të thuash se je anëtar i Mbretërisë së Perëndisë pa qenë Jezusi Mbreti i jetës tënde – sepse Mbreti dhe Mbretëria janë të pandashme. Nëse lutesh që të vijë Mbretëria dhe të bëhet vullneti i Perëndisë, atëherë po thua: “Mbreti Jezus, merr kontroll”.
Kur shumica e njerëzve luten, ata përqendrohen në planet, nevojat dhe axhendat e tyre. Perëndia kujdeset për jetën tonë dhe dëshiron që ne t’i kërkojmë Atij për nevojat tona në lutje. Megjithatë, nëse nevojat tona të perceptuara bëhen fokusi i jetës sonë, ato mund të bëhen perëndia jonë – dhe ky është një problem në vetvete. Kur nevojat tona bëhen fokusi i jetës sonë, nuk do të kalojë shumë kohë përpara se të pushojmë së luturi, “U bëftë vullneti yt”, dhe në vend të kësaj të fillojmë të lutemi që vullneti ynë të bëhet.
Ndërsa lutemi që të bëhet vullneti ynë, fokusi ynë largohet nga dashuria ndaj Perëndisë dhe të tjerëve drejt përmbushjes dhe kënaqësisë personale. Shumë shpejt, arsyetimi ynë do të errësohet nga ndjenjat tona në vend që të ndriçohet nga e Vërteta e Perëndisë dhe nuk do jemi më në gjendje të perceptojmë vullnetin e Zotit.
Lutje: Atë, më fal që kam lejuar nevojat dhe dëshirat e mia të bëhen fokusi i jetës sime. Le të jenë prioritetet e Tua , preokupimi im. Merr kontroll mbi jetën time që të mund të lutem me gjithë zemër: “U bëftë vullneti yt”. Në emër të Jezusit lutem. Amen.
Mos u shqetësoni, pra duke thënë: “Çfarë do të hamë ose çfarë do të pimë, ose me çfarë do të vishemi?”. Sepse janë paganët ata që kërkojnë të gjitha këto gjëra; Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra. Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen. ” (Mateu 6:31-33).