Është emocionuese të mendosh se sa shumë njerëz në botë janë duke menduar për qëllimin e tyre në Planetin Tokë, pasi kanë lexuar librin e Rick Warren Jeta sipas qëllimit. Libri ka vendosur rekord për shitjen e librave jo- fantazi, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është lexuar me shumë mundësi në çdo vend të botës.
Patjetër që për shkak të suksesit të librit, mund të jesh lodhur vetëm duke e dëgjuar frazën “ sipas qëllimit.” Por unë doja të bëja një pyetje në lidhje me këtë: A je duke rendur pas suksesit apo pas asaj që ka vërtetë domethënie?
Shumë prej nesh mendojnë se për të qenë të rëndësishëm, duhet që të realizojmë gjëra të mëdha që na bëjnë të famshëm, e ndaj shpesh dorëzohemi. Në fakt, shumica e njerëzve të famshëm nuk kanë përmbushur gjëra që të kenë në të vërtetë domethënie, e përkundrazi, njerëz që me të vërtetë kanë realizuar gjëra të rëndësishme, nuk njihen aspak jashtë mureve të shtëpive të tyre.
Qëllimi yt në jetë nuk duhet të jetë rendja pas gjërave që bota thotë se janë të çmuara, por ty të duhet të kërkosh atë çfarë është e çmuar për Perëndinë. Përpiqu që të mos ndjekësh arsyetimin e dikujt tjetër për jetën tënde, por shko pas qëllimit që Perëndia ka për ty. Detyra jote është që të “shkosh pas synimit” ( Filipianët 3:14) , pas qëllimit të Zotit për ty dhe t’ia lësh gjithçka tjetër në dorë Atij.
Mos lër askënd që të dekurajojë, apo të të largojë nga rruga jote për të ndjekur qëllimin e Perëndisë. Në librin e saj Perëndi i dashur, jam unë sërish! Gail Ramsey na kujton personazhin e animuar Charlie Brown, në një moment kur ai i tregon Lucy-t duart e tij dhe thotë , “ Shikoji këto duar! Këto duar një ditë mund të ndërtojnë ura të mëdha! Ato mund të gjuajnë shumë larg dhe të shënojnë pikë në bejsboll! Këto duar, një ditë mund të shkruajnë libra të rëndësishëm , apo të shërojnë njerëz që janë të sëmurë… apo të drejtojnë një anije kozmike për në Mars!” Teksa shihte duart e Charlit, Lucy ja ktheu, “ I ke bërë duart pis me reçel”
Lucy nuk po shihte atë që ai shihte. Ajo pa vetëm reçelin në duart e tij. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me ty, disa nga njerëzit që të rrethojnë do të shohin vetëm reçelin në duart e tua. Por mos e lejo këtë gjë, që të shkatërrojë ëndrrën që Perëndia ka vendosur në zemrën tënde.