“Do ta bësh me dërrasa dhe bosh nga brenda; duhet ta bësh ashtu siç t’u tregua në mal.” -Eksodi 27:8
Kjo është vërtet interesante. Më pëlqen shumë ky varg. Nuk e kisha vënë re më parë, por kur po lexoja kapitullin 27 të Eksodit, pjesa e parë e këtij kapitulli përshkruan udhëzimet e Perëndisë për ndërtimin e altarit të bronztë. I gjithë kapitulli fillon kështu: “Do të bësh edhe një altar prej druri akacieje.”, dhe fillon ta përshkruajë atë. Ai arrin në fund të përshkrimit duke treguar se si altari prej bronzi duhej të bëhej në tabernakull. Dhe Bibla thotë këtë në vargun : “Do ta bësh me dërrasa dhe bosh nga brenda.”. Perëndia po i fliste Moisiut dhe po i thoshte: “Duhet ta bësh ashtu siç t’u tregua në mal.”. Më pëlqen shumë ky përshkrim. Dhe Perëndia tha: “Moisi, paraqitu në këtë mal. Unë të kam treguar diçka. Tani, zbrit nga mali dhe vepro pikërisht siç të kam treguar Unë.”. Moisiu kishte takuar Perëndinë në këtë mal ndërkohë që të gjithë njerëzit po prisnin te këmbët e malit. Pra, Moisiu ishte vetëm me Perëndinë. Perëndia i fliste atij dhe Moisiu kishte përgjegjësinë që ta merrte atë që kishte dëgjuar privatisht me Perëndinë dhe ta zbatonte në publik. “Duhet ta bësh ashtu siç t’u tregua në mal.”
Perëndia na flet dhe u flet të tjerëve gjithashtu, por bazuar te ajo që Ai thotë në Fjalën e Tij. Ndaj ne duhet të jetojmë para të tjerëve në bazë të asaj që Perëndia na ka thënë në Fjalën e Tij.
Ndërsa lexoj këtë varg, në mendje kam kohën time me Zotin këtë mëngjes dhe për çdo mëngjes. Kjo është një kohë kur jam vetëm me Të, në bashkësi me Të, dhe Ai më flet përmes Fjalës së Tij. Ka shumë gjëra që Ai më thotë, gjëra që nuk duhet të qëndrojnë të izoluara në dhomën ku më thuhen. Ato duhen ndarë me të tjerë. Ato janë për të inkurajuar të tjerët dhe për t’u vënë në zbatim jashtë asaj dhome. Koha ime me Zotin, koha juaj vetëm me Zotin, që shpresoj ta keni për çdo ditë dhe sipas mënyrës që na përshkruhet te Mateu 6, është një kohë ku ju futeni në dhomëz, mbyllni derën dhe i luteni Atit, e dëgjoni Atë t’ju flasë përmes Fjalës së Tij. Ju duhet të vini në zbatim Fjalën e Tij, duke e ndarë Fjalën e Tij me të tjerë. Në kishën që unë drejtoj ne flasim për ecjen përmes Shkrimit, meditimit, zbatimit, lutjes, ndarjes dhe intimitetit me Perëndinë me anë të Fjalës së Tij.
Perëndi, ne lutemi që të dëgjojmë prej Teje, veçanërisht në kohën vetëm me Ty, gjithashtu kur mblidhemi së bashku në kishën Tënde, ose me vëllezërit e motrat duke hapur Fjalën Tënde dhe duke dëgjuar prej Teje, por, Perëndi, lutemi që të dëgjojmë çdo ditë prej Teje dhe ndërsa dëgjojmë, ne lutemi që ato fjalë të mos mbesin me aq, por të transformojnë mënyrën se si jetojmë, se si sillemi, se si i bindemi Fjalës Tënde, që të veprojmë sipas Fjalës Tënde, që t’i bindemi Fjalës Tënde dhe që të bëjmë atë që Fjala Jote thotë. Mbi të gjitha, lutemi që Fjalën Tënde ta ndajmë me të tjerët. Na ndihmo të ndajmë me të tjerët hirin dhe ungjillin që gëzojmë çdo ditë para Teje. Ne lutemi që të na ndihmosh të jemi besnikë, të guximshëm dhe të dhembshur kur ndajmë me të tjerët.
Perëndi, ne lutemi sot që të na përdorësh për ta ndarë ungjillin me dikë dhe që Ti ta afrosh atë në një marrëdhënie me Ty, në jetë me Ty, në përjetësi me Ty. Ne lutemi që kjo të ndodhë me të gjithë njerëzit përreth nesh. Perëndi, ne lutemi që dikush ta marrë atë që ka dëgjuar në dhomëzën e tij dhe ta shpallë kudo në botë. Ne lutemi për fisin Tai Tand në Vietnam. Ne lutemi që ata ta dëgjojnë atë që Ti ke thënë në Fjalën Tënde, për dashurinë që Ti ke për ta.
Perëndi, ne të falënderojmë për privilegjin e kohës që kalojmë me Ty, duke dëgjuar prej Teje, duke pasur bashkësi me Ty. Ne lutemi që fjalët tona të jenë ndryshe sepse ato janë rrjedhë e asaj që kemi parë me Ty, që kemi përjetuar me Ty, qoftë në mal, qoftë në dhomëz. Për të gjitha këto ne lutemi në emrin e Jezusit. Amen.