Në vitin 2001, Karlota pësoi një goditje të rëndë në tru, goditje që rezultoi në humbjen e jo vetëm të folurit por edhe në paralizimin e këmbëve dhe të njërit krah. Por Karlota ishte e vendosur të mos hiqte dorë nga jeta. Pavarësisht nga aftësitë e saj të kufizuara, ajo besonte se mund ta përmbushte ende dëshirën e saj për të ndarë Ungjillin me të gjithë ata që nuk e njohin Jezusin dhe nuk kanë marrëdhënie personale me Të. Një ditë ajo dëgjoi për një projekt ku bënin byzylykë lëkure me pesë rruaza me ngjyra që simbolizonin pesë aspektet e mesazhit të Ungjillit.
Rruaza e verdhë nënkupton pyetjen: “A keni menduar ndonjëherë për parajsën, vendin ku rrugët janë prej ari?” Rruaza e zezë na kujton se në gjendjen tonë aktuale nuk mund të shkojmë në parajsë për shkak të mëkatit tonë. Rruaza e kuqe simbolizon lajmin e mirë se Jezusi vdiq në kryq për mëkatet tona dhe me gjakun e tij Ai lan mëkatet tona. Rruaza e bardhë simbolizon se sakrifica e Jezusit na bën të pastër. Rruaza e gjelbër na kujton se çdo ditë është një mundësi që të rritemi në marrëdhënien tonë me Jezusin. Misionarët i shpërndajnë këto lloj byzylykësh anembanë botës si për fëmijët ashtu dhe të rriturit.
Duke përdorur vetëm një dorë dhe gojën e saj, Karlota bëri mbi 45,000 byzylykë të tillë. Me fjalë të tjera ajo ka ndarë mesazhin e ungjillit me botën mbarë, duke mos lënë që paraliza e saj ta privonte nga përmbushja e urdhërimit të Krishtit, “Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese (Marku 16:15).
Shembulli i Karlotës vlen për të gjithë ne, që tundohemi të japim një mijë e një justifikime se përse nuk mund ta ndajmë Krishtin me të tjerët. Autori i Fjalëve të Urta na nxit se “ai që shtie në dorë shpirtërat është i urtë.” (Fjalët e Urta 11:30). Nëse Karlota mundi të ndante ungjillin, edhe ti mundesh.