Me çdo vit që kalon, ka gjithnjë e më shumë ndikime të paperëndishme që kërkojnë vëmendjen e të rinjve të kombit tonë. Vlerat biblike perceptohen si të huaja dhe të vjetra. Familjet e krishtera po sulmohen nga të gjitha anët. Si do ta gjejë forcën brezi që po rritet për të ndjekur rrugët e Zotit dhe për të qenë luftëtar për Krishtin?
Mijëra vite më parë psalmisti bëri të njëjtën pyetje: “Si mundet një i ri ta bëjë rrugën e tij të pastër?”. Ai u përgjigj: “Duke e ruajtur me fjalën tënde” (Psalmi 119:9).
Lexoni Psalmi 127. Vargu 3 thotë: “Bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti…” Trashëgimia është dhuratë dhe ne duhet ta ruajmë me kujdes atë që na është dhënë. Kjo nuk vlen vetëm për prindërit por për çdo anëtar të kishës së Perëndisë. Secili nga ne është thirrur për të ngritur një brez të ri në lutje, për të trajnuar të rinjtë në jetën tonë me gjërat e Zotit dhe për të qenë një shembull për perëndishmëri.
Çdo muaj gusht, pikërisht para se të fillojë viti shkollor, ne lutemi për nxënësit që kthehen në shkollë. Ne i kërkojmë Perëndisë që të kujdeset për të vegjlit tanë që fillojnë kopshtin ose shkollën, dhe lutemi që Ai të jetë me nxënësit e gjimnazeve dhe studentët e universiteteve ndërsa përballen me presionet e ndryshme akademike dhe shoqërore. Por po pjesa tjetër e vitit?
Nëse vërtetë dëshirojmë që Zoti të punojë në jetët e fëmijëve tanë, ne duhet kemi prioritet në jetë të luturit për ta. Pavarësisht se sa e zënë është jeta jonë, ne nuk duhet të jemi kurrë aq të zënë sa të mos lutemi. Kur bëhet fjalë për të rinjtë tanë, ky duhet të jetë prioriteti ynë.
Lutje: Zot, të falënderojmë për “trashëgiminë” që na ke dhënë përmes të rinjve që ke vendosur në jetën tonë. Na ndihmo të vëmë mënjanë një kohë që të lutemi për ta. Të falënderojmë për privilegjin që na ke dhënë për të pasur një ndikim te brezi i ri për Krishtin. Lutemi në emrin e Jezusit, amen.
“Pastaj Jezusi u tha atyre edhe një shëmbëlltyrë, për të treguar se duhet lutur vazhdimisht pa u ligështuar” (Luka 18:1).