Kordoni me tre fije është një pamje e fuqisë që zë vend, kur dy njerëz bien dakord për diçka që është në përputhje me vullnetin e Perëndisë për ta. Ka një fuqi shumë të madhe, kur dy njerëz bëhen një, në marrëveshje me njëri-tjetrin.Mund të keni shumë gëzim në martesë, kur bini dakord me njëri-tjetrin. A e dini se Perëndia nuk ju bashkoi që të jeni të mjeruar? Ai nuk ju bashkoi që të luftoni, të grindeni dhe të përpiqeni të ndryshoni njëri-tjetrin. Bibla thotë se një grua duhet të gëzohet me burrin e saj. (Lexo 1 Pjetrit 3:2.) mendoni për këtë. Rrallë dëgjoj që një grua të thotë: “E di çfarë? Unë vërtet kënaqem me burrin tim.” Dhe Perëndia dëshiron që ju të kënaqeni me njëri-tjetrin. Ai dëshiron që ju të qeshni dhe të gëzoheni së bashku.
Si të “bëhesh një”
Si mund të bëhen një, dy njerëz me personalitete te ndryshme, që nuk mendojnë njësoj, që nuk ndihen njësoj në lidhje me shumë gjëra, dhe që nuk u pëlqen as i njëjti ushqim madje? Ne e dimë se kjo nuk ndodh në çastin që ata thonë ‘po’. Të bërit një është një proçes që kërkon kohë.
Shumë herë, pjesa më e gjatë e proçesit të të bërit një, është në mendje. Çiftet ndonjëherë nuk bien dakord menjëherë në mënyrën se si mendojnë për gjërat. Si ndodh ky proçes i të rënit dakord mendërisht? Shumica e problemeve martesore përfshijnë grindjen për shkak të komunikimit jo të mirë, për shkak të keqkuptimeve seksuale, për shkak të çështjeve monetare, qëllimeve të ndryshme në jetë, apo mosmarrëveshje në lidhje me prindërimin. Të gjitha këto gjëra zgjidhen midis nesh, brenda sferës shpirtërore të bashkimit tonë, mendjes, vullnetit dhe emocioneve tona. Nuk kanë të bëjnë me frymën, apo trupin tonë. Kanë të bëjnë më shumë me atë që ne mendojmë rreth këtyre zonave. Ne mund ta dimë frymërisht se cila është gjëja e drejtë që duhet të bëjmë, por kjo nuk do të thotë se do ta bëjmë.
Fuqia e të rënit dakord
Bibla thotë se ne duhet të biem dakord. Bashkëshorti im, Dave, dhe unë kemi personalitete që janë shumë të kundërt. Prapëseprapë, Perëndia na ka afruar gjithmonë e më shumë me njëri-tjetrin dhe tani kemi filluar të mendojmë njësoj dhe të dëshirojmë të njëjtat gjëra. Përsëri kemi dy personalitete të ndryshme dhe tani, mund të shohim se Perëndia i ka bashkuar ndryshimet tona me qëllim. Nuk ishte aksidentalisht. Kur u bëmë një, Perëndia e dinte se pikat tona të forta dhe të dobëta do të plotësonin njëra-tjetrë. Pyetja: “Përse nuk je si unë?”, nuk është më në zemrën tonë. Ne e kuptojmë se kemi nevojë për njëri-tjetrin, në mënyrë që të jemi pikërisht ata që Perëndia na krijoi të jemi. Nuk e ngacmojmë më njëri-tjetrin për dobësitë që kemi, përkundrazi, inkurajojmë dhe kënaqemi me njëri-tjetrin.
Një çift i martuar duhet të ketë mirëkuptim më shumë se kushdo tjetër. Perëndia ka bërë kaq shumë për mua dhe për Dave që nga koha që i lamë pas grindjet dhe mësuam si ta përulim veten dhe të mendojmë se, nuk ka përse të bëhet gjithmonë siç duam ne. Shumë luftra bëheshin në shtëpinë tonë për gjëra fare të parëndësishme, për shembull nëse duhet të shkonim majtas, apo djathtas, kur të dyja rrugët të çonin në të njëjtin dyqan. Nëse doni të keni fuqi në martesë dhe në jetën tuaj të lutjes, atëherë duhet të bini dakord e të shkoni mirë. Ju mund të mësoni se si “të mos bini dakord, duke rënë dakord”, pa shkaktuar grindje.
Pyetja më e madhe është: Si mësojnë të bien dakord, njerëzit që nuk mendojnë njësoj? Mirëkuptimi vjen kur të dy partnerët nuk janë egoistë. Shumë burra dhe gra ende përballen me egoizmin. Dhe egoizmi mund të përmblidhet në këtë fjali: “Dua atë që dua, kur e dua unë dhe nuk më intereson se çfarë do ti, sepse unë dua atë që dua unë.” Egoizmi është përqëndrimi tek vetja jote, që është papjekuri. Nëse secili prej nesh mëson t’i thotë dëshirat e tij, por zgjedh të bëjë atë që u shërben gjithë të tjerëve në familje, atëherë mund të gjejmë paqe. Çelësi është ky: të marrim në konsideratë nevojat e personit tjetër, të jemi të gatshëm ta përulim veten dhe të bëjmë ç’të mundemi për t’i plotësuar ato nevoja.