Kështu mbetët shumë ditë në Kadesh, gjithë kohën që qëndruat atje. Ligji i Përtërirë 1:46
Keni bërë ndonjëherë një bisedë të tillë: “Zemër, mendoj se ke ngatërruar rrugën. Unë e pashë shenjën atje dhe duhet të ktheheshim pak më sipër.” Burri përgjigjet: “Jo, mos u shqetëso. Di një rrugë të shkurtër që do të na kursejë kohë.” Problemi i vetëm është se rruga e shkurtër që burri juaj dinte 20 vite më parë, nuk është më dhe ju përfundoni në një rrugë më të gjatë, se sa po të ishit kthyer tek tabela në rrugë.
Rrugët e shkurtra zakonisht, përfundojnë duke ju kushtuar më shumë kohë dhe para, nga sa do t’ju kushtonin po të udhëtonit në autostradë. Pastor Craig Clapper, në mënyrë të dhimbshme, mori disa mësime të mira, mbi faktin se sa shumë mund t’ju kushtojë të shkoni atje ku duhet të shkoni, pikërisht në marshimin e tij përgjatë vargmaleve Apallaçe (një terren malor mbi 3200 kilometra i gjatë, nga Vermonti në Georgia, në pjesën Lindore të Shteteve të Bashkuara).
Ja se si e përshkruan Craig përvojën e tij: “M’u desh një përvojë jetë- kërcënuese, që unë të kuptoja rëndësinë e të udhëtuarit “siç duhet”. Në Malet e Bardha të New Hampshire, ndodhi një stuhi e madhe. Një nga marshuesit e tjerë më tha se mund të dilja nga shtegu kryesor dhe t’i bija përreth malit, për të shmangur zonën më të keqe të stuhisë. Ai shteg dytësor, ishte gabimi më i madh. Rashë nga një shkëmb dhe mund të kisha vdekur. I hapa vetes shumë probleme; shenjat e asaj rënieje do t’i kem për gjithë jetën. Nga kjo, unë mësova se gjithmonë, duhet të udhëtojmë siç duhet dhe të mos dalim kurrë nga rruga që Perëndia ka bërë për ne.”
Rrugët e shkurtra kanë masa dhe përshkrime të ndryshme. Ato janë një përpjekje për të shkuar diku, nga një rrugë e lehtë, për të marrë diçka që nuk e meritojmë, apo për të shmangur diçka me të cilën duhet të përballemi. Jeta ngjan shumë me një udhëtim që përfshin një pikë fillimi dhe një destinacion përfundimtar- një destinacion që mund të arrihet vetëm nga një rrugë.
Shpesh, unë mendoj për udhëtimin 40-vjeçar të fëmijëve të Perëndisë në shkretëtirë. Faktikisht, udhëtimi për në Arad, në pjesën jugore të Negevit, mund të ishte bërë në më pak se 14 ditë (lexoni Ligji i Përtërirë 1:2), por Perëndia kishte diçka tjetër në mendje, diçka që ata mund ta mësonin vetëm duke u përballur me shkretëtirën. Romakëve 12:17 na thotë se duhet të jemi të drejtë në sytë e të gjithë njerëzve. Ja se çfarë thotë: “kërkoni të bëni të mirën përpara gjithë njerëzve.” Dhe kjo do të thotë të shmangim rrugët e shkurtra, rrugën drejt asaj gjëje, apo vendi ku doni të shkoni, e cila përfshin mënyra dhe mjete të dyshimta.
A do të ndiheshit rehat po të udhëtonit me një avion që është 98% i sigurt, dhe të mendonit se, pavarësisht se probabiliteti është në favorin tuaj, ka një mundësi 2% që të ketë probleme? A do të ndiheshit të qetë, sikur inspektori të firmoste regjistrin e sigurisë, pa bërë asnjë riparim për sigurinë e avionit?
Shumë kohë më parë, William Shakespir shkroi: “Ji besnik ndaj vetes tënde dhe patjetër, ashtu siç është e sigurt se pas natës vjen dita, do të jesh besnik edhe ndaj të tjerëve!” Të jtuarit me ndërgjegje, pavarësisht nëse është apo jo “rruga jote e shkurtër”, bëhet një njohuri publike, që do të thotë të bësh të drejtën, pavarësisht se kush po ju sheh.
Të jetuarit pa rrugë të shkurtra, do të thotë se një ditë, ju do të qëndroni në praninë e Perëndisë pa keqardhje, pa sekrete dhe mbi të gjitha, pa turp. Mund të jetë rruga më e gjatë për atje ku duhet të shkoni, por është më e sigurta; për këtë të jeni të sigurt. Mos harroni: Jezusi tha: “Unë jam Udha, E vërteta dhe jeta.”