Rreziku nga “Balena Blu”
E mbiquajtura “Balena blu” është një lojë e cila rrezikon drejtpërsëdrejti jetët e të gjithë njerëzve të cilët përfshihen në të virtualisht. Më të rrezikuarit të bien preh e kësaj loje janë adoleshentët. Fillimisht, ata pranojnë të marrin pjesë nga një ftesë në rrjetet sociale dhe më pas krijojnë profilin e tyre në një faqe “online”. Për 50 ditë ndjekin udhëzimet nga një person i ashtuquajtur udhëheqës. Ai i shtyn ata të kryejnë me sukses një sërë aktesh të tejskajshme të vërtetuara me fotografi, që fillojnë me vetëplagosje, prerje të lëkurës në forma të ndryshme, apo kacavjerrje në ndërtesa të larta dhe ura, ndërsa sfida e fundit që nxjerr fituesin e lojës është vetëvrasja.
Loja vdekjeprurëse qarkullon në internet me emrin “Sfida e balenës blu” dhe lidhet me të paktën 100 raste vdekjeje në Rusi, Ukrainë dhe disa shtete të Azisë Qendrore, ndërsa ekspertët paralajmërojnë për një shpërndarje të madhe të saj nëpërmjet rrjeteve sociale edhe në Evropën Perëndimore.
Përhapja e kësaj loje ka pasur sukses pasi bota digitale mundëson përhapjen e shumë gjërave me një shpejtësi marramendëse, në të gjithë botën.
Për të parandaluar këtë fenomen iu tërhiqet vëmendja të gjithë prindërve që të vërejnë çfarëdo ndryshimi në sjellje të fëmijëve të tyre apo çfarëdo shenje hematome në trupin e tyre.
Ideatori i kësaj loje është shprehur se ideja e tij për këtë lojë ishte të eliminonte disa njerëz që i konsideronte si “mbeturina biologjike”. Kjo është një deklaratë e fortë por aspak me vend. Perëndia ka krijuar secilin prej nesh në mënyrë unike dhe secili prej nesh ka të njëjtën vlerë.
Po, ti ke formuar të përbrendshmet e mia, ti më ke endur në barkun e nenës sime. Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekullueshme; veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë. Kockat e mia nuk ishin një e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi duke u endur në thellësitë e tokës. Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende. Psalmi 139:13-16