Vetmia është kthyer në një shqetësim të krahasueshëm me pirjen e duhanit dhe obezitetin. Apeli vjen nga ekspertët e shëndetësisë në SHBA. Dr. Vivek Murthy, një prej kirurgëve të Përgjithshëm amerikan pranon se vetmia tani është një kërcënim për shëndetin publik aq e rëndë sa barazohet me pirjen e duhanit dhe obezitetin. “Kjo është një çështje me të cilën shumë njerëz luftojnë në hije sepse ndihen të turpëruar. Dhe kjo ishte e vërtetë edhe për mua,” tha ai për ABC News.
“Ishte gruaja ime, Alice, ajo që më tha : “Unë jam e shqetësuar për ty, sepse nuk po u afrohesh njerëzve. Nuk po shoqërohesh me miqtë e tu”, thotë Dr. Murthy. Sipas tij vetmia rrit rrezikun e sëmundjeve fizike si sëmundjet e zemrës, demenca dhe goditjet në tru dhe ato mendore, duke përfshirë depresionin, ankthin dhe vetëvrasjen. Ai shton se mundësia e vdekjes së parakohshme për shkak të vetmisë mund të jetë e barabartë me atë të pirjes së 15 cigareve në ditë dhe mund të përbëjë një rrezik më të madh për shëndetin sesa të jetosh me obezitet. “Kthehuni në kishë. Përfshihuni. Përfshihuni me grupe. Ne duhet të kthehemi. Dhe me të vërtetë, nuk ka vend më të mirë për ta zgjidhur atë sesa kisha.”- apelon një prej psikiatërve në SHBA, Daniel Amen si përgjigje ndaj vetmisë, rrezikut në rritje të shëndetit të shoqërisë.
Dr. Amen tha se vetmia ishte një problem serioz në Amerikë përpara pandemisë, por mbylljet e lidhura me COVID-19 e bënë vetminë “në mënyrë eksponenciale më keq”. Ai thekson se ndërsa pandemia ka mbaruar, shumë njerëz vazhdojnë të mbeten të izoluar nga ata me të cilët kanë ndërvepruar para pandemisë. Prandaj, ai rekomandon minimizimin e kohës para ekranit duke maksimizuar ndërveprimet personale.