Kujdesuni, pra, qė tė ecni me kujdes dhe jo si tė marrėt, por si tė mençurit, duke e shfrytëzuar kohėn, sepse ditėt janė tė mbrapshta. Efesianët 5:15-16
Richard LeGalliene njihet për shprehjen e tij, “Kuajt e kohës zbresin me galop kodrën që zvogëlohet.” Kjo është një mënyrë e bukur për të thënë “koha fluturon”. Romakët thoshin “ Tempus fuxhit”. Pavarësisht se si e thua, ti e di se çdo të thotë, sepse e ndjen vazhdimisht presionin që bëhet mbi kohën tënde. Me të gjitha shpikjet e teknologjisë moderne, askush nuk ka arritur që të fusë më shumë orë brenda një dite.
Kur ndalon dhe mendon mbi kohën, ka diçka që të le shijen e misterit. Nga erdhe dhe ku po shkon? Ne e dimë se koha është një njësi matëse ndarëse- por çfarë ndan? Nëse sheh pas në jetën tënde, duhet të pranosh se koha ikën shumë më shpejt tani, nga ç’ikte një vit më parë.
Kur ishe fëmijë, ti mendoje se pushimet e verës nuk do të vinin asnjëherë. Tani si nënë apo baba, ti pyet se si ka mundësi që pushimet kalojnë kaq shpejt. Duket se koha fiton më shumë rëndësi për ty, teksa jeta kalon . Kuajt e kohës zbresin me galop kodrën që zvogëlohet.
Sasia e kohës në jetën tënde nuk është aq e rëndësishme, sa mënyra se si ti e përdor atë. Grekët e vjetër kishin 2 fjalë për kohën. Njëra prej tyre ishte kronos, rrënja e fjalës kronometër. Fjala tjetër është kairos. Do të thotë kohë e cila mbart një qëllim. Jeta jote është pjesë e një prej këtyre dy kategorive. Po jeton, ose jetën pa qëllim, ose jetën që ka një dimension dhe ka të vërtetën brenda saj. Cila prej tyre është? Robert Moffat, një misionar, njëherë shkroi, “ Ne do të kemi të gjithë përjetësinë për të festuar fitoret tona, por kemi vetëm një orë të shkurtër që na ndan nga perëndimi kur duhet t’i korrim këto fitore.”
Çdo njeri ka një kohë të caktuar, por askush nuk e di se kur përfundon koha e tij. Kjo është arsyeja, që duhet të nxjerrësh më të mirën nga çdo moment. Shumë vite më parë, apostulli Pal, u shkroi Efesianëve dhe u tha atyre “shfrytëzoni kohėn, sepse ditėt janė tė mbrapshta” Ai i nxiti që ata të përfitonin nga çdo moment sepse jeta mund të jetë e shkurtër.
Ndoshta e njihni aktorin John Carroll. Ai ka bërë pak nga të gjitha, ka punuar si aktor e po ashtu edhe ka udhëtuar në të gjithë botën. Carroll kohët e fundit i tha një reporteri se shqetësimi i tij kryesor ishte koha. Ai tha, “ Koha nuk ecën, ajo fluturon”, e më pas shpjegoi, “ Jam shokuar nga shpejtësia e jetës, ndërsa isha i përshirë në disa projekte vitet e fundit. Zbulova se tre vite më kishin kaluar pa e kuptuar aspak.” Sa vite kanë kaluar në jetën tënde?
Bibla na tregon se si duhet të jetojmë. Ajo na thotë se koha është pjesë e përjetësisë, e megjithëkëtë, vendimet që merr në kohë përcaktojnë fatin tënd në përjetësi. Nëse do ta dije se do të jetoje për vetëm 24 orët e ardhshme, as më pak e as më shumë, si do ta shpenzojë këtë kohë? A do të zhbëje disa mosmarrëveshje që ke pasur me njerëzit për një kohë të gjatë? A do doje të shpenzoje më shumë kohë me familjarët e tu? Por ç’është më e rëndësishmja, a do dëshiroje që të kaloje pak kohë duke hetuar zemrën tënde përpara Perëndisë, për t’u siguruar se je gati për të hyrë në prezencën e Tij? Nëse përgjigja ndaj këtyre pyetjeve është “po”, atëherë nisi t’i bësh secilën prej tyre dhe vepro SOT!
Nëse e jeton çdo ditë si të ishte e fundit, do të kesh një jetë që do të jetë e mbushur plot. Zvarritja nuk është vetëm një hajdut i kohës; por është hajduti i shpirtit të njeriut. Tani është koha për të bërë atë gjë për të cilën ke pritur për shumë gjatë. John Carroll ka të drejtë: “ Koha nuk ecën, ajo fluturon.”