Mëkati vjen në shumë forma dhe përmasa, por thellë brenda, çdo mëkat mbin nga e njëjta farë: krenaria. Nën çdo dështim moral është një dëshirë për të lartësuar veten. Askush nuk është i imunizuar nga kjo thyerje. Edhe njerëzit që kanë parë shenja të mrekullueshme dhe kanë përjetuar dorën e Perëndisë në jetën e tyre, ende i nënshtrohen joshjes së krenarisë. Ky është paralajmërimi i Palit për korintasit—dhe për ne. Ai na tregon përsëri për popullin e Izraelit, të cilin Perëndia e shpëtoi nga Egjipti. Ndonëse e panë fuqinë e Perëndisë, ata iu dorëzuan tundimit herë pas here. Si rezultat, shumica e tyre vdiqën në shkretëtirë—duke humbur aftësinë për të shkelur në Tokën e Premtuar.
Mënyra më e sigurt për të rënë në tundim dhe mëkat është të vendosim besimin tonë te vetja. Kështu bënë izraelitët. Ata madje besonin se kishin disi të drejtën për dhuratat e mira që Perëndia u kishte dhënë. Si besimtarë, ne duhet të mësojmë nga gabimet e tyre dhe të përballemi me krenarinë dhe të drejtën tonë duke i rrëfyer, penduar për to dhe duke i lënë te këmbët e Jezusit. Vetëm kur e lëmë krenarinë tonë në Krishtin, mund t’i besojmë plotësisht Perëndisë. Vetëm kur i mbajmë sytë te Krishti, mund të kemi fitore mbi tundimin.
Krenaria na bën të besojmë te vetja, në mënyrë që të ndihemi të pamposhtur. Por e vërteta është se ne jemi të gabueshëm, ndaj duhet t’i vëmë veshin paralajmërimit të Palit kur ndihemi sikur kush e di se kush jemi: “Prandaj ai që mendon se qëndron më këmbë, le të shohë se mos bjerë!” (1 Korintasve 10:12).
Lutje: Zot, më fal që kam besuar te vetja – që mendoj për veten më shumë seç duhet. E di që Ti je Shpëtimtari im. Ti je vendi ku mund të mbështetem dhe autori i besimit tim. Të lavdëroj, o Zot. Lutem në emër të Jezusit. Amen.
“Dhe këto u bënë si shembuj për ne, që ne të mos dëshirojmë gjëra të liga, ashtu si dëshiruan ata.” (1 Korintasve 10:6).