“Kështu Perëndia dëgjoi rënkimin e tyre, dhe Perëndisë iu kujtua besëlidhja që kishte përfunduar me Abrahamin, me Isakun dhe me Jakobin. Dhe Perëndia shikoi bijtë e Izraelit, dhe Perëndia u kujdes për ta.”
–Eksodi 2:24–25
Ky është një pasazh i bukur në Shkrim në fund të kapitullit 1 dhe fillimit të kapitulli 2 te Libri i Eksodit. Kjo është në lidhje me përshkrimin shtypjes së tmerrshme dhe skllavërisë për të cilën u lutëm te Eksodi, kapitulli 1. Por kur lexojmë këto fjalë, pra për popullin e Perëndisë që i thërret Atij, Bibla na thotë këtë: “Perëndia dëgjoi rënkimin e tyre, dhe Perëndisë iu kujtua besëlidhja”.
Tani, kjo nuk do të thotë se Perëndia e kishte harruar besëlidhjen e Tij me ta. Zoti nuk harron. Ai është i gjithëdijshëm. Ai i di të gjitha. Nuk është në aftësinë e Tij që të harrojë. Ai nuk harron asgjë. Por përshkrimi këtu është që Perëndia i thotë këtë popullit të Tij: “Unë e di premtimin që iu kam bërë dhe do të jem besnik ndaj atij premtimi për të përfunduar besëlidhjen time me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin.”.
Ne kemi një Perëndi që e dëgjon rënkimin e popullit të Tij. Perëndia i shikoi bijtë e Izraelit. Fjala “rënkim” tregon se Perëndia nuk ishte larg tyre. Ai ishte mjaft i Vetëdijshëm për atë që ata po kalonin. Dhe fjalët e fundit te Eksodi 2 janë këto: “Perëndia u kujdes për ta.”. Ndërsa i lexoni këto fjalë, ndërsa i dëgjoni, unë dua që t’i rrënjosni ato në zemrën tuaj duke qenë se edhe ju jeni pjesë e popullit të Perëndisë në një botë ku rënkimi dhe thirrja ndaj Zotit është një realitet. Specifikisht mendoj për një familje që unë njoh dhe që ka kaluar një kohë shumë të vështirë. Anëtarët e familjes e kësaj familjeje kanë qenë në spital me kovid njëri pas tjetrit dhe disa prej tyre kanë vdekur. Ka qenë një rrugëtim i vështirë.
Pra, ndërsa i lexojmë këto fjalë, ne kuptojmë se Perëndia e dëgjon rënkimin tonë. Ai është besnik ndaj premtimeve për të na ruajtur, për të na mbajtur, për të na dashur, për të na ngushëlluar, për të na dhënë paqe, për të sjellë deri në fund. Perëndia na sheh dhe kujdeset për ne. Sa përshkrim i bukur. Unë nuk e di se çfarë jeni duke kaluar në jetën tuaj tani. Besoj se shumë nga ju që po na dëgjoni po kaloni kohë të vështira. Dhe unë dua t’ju kujtoj juve që keni besuar te Jezusi, që e njihni Perëndinë, Perëndia e dëgjon rënkimin tuaj, Ai e dëgjon thirrjen tuaj ndaj Tij. Kur po kaloja kohën time me Zotin dje, po i thërrisja Atij në mënyra të ndryshme dhe e dija që Ai po më dëgjonte. Ai më dëgjon dhe unë mund t’i hedh barrët e mia mbi Të, duke e ditur se Ai kujdeset për mua. Ne po flasim për Perëndinë, jo për dikë dosido, por për Perëndinë. Unë mund t’i hedh barrët e mia mbi Perëndinë dhe e di që i Gjithëpushtetshmi, i Gjithëdijshmi, Sunduesi sovran i universit më dëgjon. Ai është besnik ndaj meje dhe më ka bërë premtime që do t’i mbajë. Perëndia më sheh dhe kujdeset për mua. Ai e di se çfarë jam duke kaluar. Ai kujdeset për ju. Ai e di se çfarë jeni duke kaluar. Ai e dëgjon thirrjen tuaj dhe do të jetë besnik ndaj çdo premtimi që ju ka bërë. Ndaj lutja ime është sipas Eksodit 2, vargjet 24 dhe 25. Lutja është për çdo person që po na dëgjon tani, që e njeh Perëndinë dhe që është pajtuar me Të përmes gjakut të Jezusit, që është biri ose bija e Perëndisë, që është në familjen e Tij dhe që e njeh Zotin si Atin e tij.
Perëndi, ne të lavdërojmë që e dëgjon rënkimin dhe thirrjen tonë. Ne të lavdërojmë që i kujton premtimet që na ke bërë dhe që je gjithmonë besnik ndaj premtimeve të Tua. Perëndi, unë lutem që të gjithë ata që po na dëgjojnë tani ta rrënjosin këtë të vërtetë në zemrat e tyre, që të dinë se Ti i dëgjon, që i sheh dhe që i di ato që janë duke kaluar. Ti i di shumë mirë çfarë po kalojnë ata dhe ke premtuar se do t’i ruash, do t’i forcosh, do t’i mbushësh, do t’i ngushëllosh, do t’u japësh paqe dhe do të jesh gëzimi i tyre, ndihma dhe urtësia e tyre. Ndihmoi ata të ngrihen mbi këto rrethana. Perëndi, ne të lavdërojmë që kujdesesh për ne. Ne të lavdërojmë që kur ecim përmes provave, sfidave dhe vështirësive, Ti kujdesesh për ne, na sheh, na dëgjon dhe je gjithmonë besnik ndaj nesh. Ne të duam, Perëndi. Ne besojmë në Ty. Ne mbështetemi tek Ti. Ne kemi nevojë për Ty dhe të lavdërojmë si Besnikun e përjetshëm, sepse gjithmonë na dëgjon, gjithmonë na sheh dhe gjithmonë kujdesesh për ne. Në emrin e Jezusit ne lutemi.