“Si të brengosur, por gjithmonë të gëzuar; si të varfër, por shumë veta i bëjmë të pasur; si njerëz që s’kanë asgjë, por kanë gjithçka…”
2 Korintasve 6:10
Nëse zemra juaj ka dhimbje, ajo dhemb disi thellë dhe më shumë gjatë kohës së Krishtlindjes. Pavarësisht ndriçimit të qirinjve, të yjeve dhe dritave vezulluese, këto ditë mund të jenë ditët më të errëta të vitit. Është një kohë ku personi që rri vetëm bëhet i vetmuar, kur realiteti i jetës në tokë nuk krahasohet me pritshmëritë dhe humbjet e jetës rrënjosen më shumë në kujtesë.
Por vërtetësia e Fjalës së Perëndisë i flet zemrës që dhemb, varfërisë dhe varfërisë së shpirtit, veçanërisht gjatë kohës së Krishtlindjes. Apostulli Pal, duke folur për veten dhe Timoteun, tha duke pranuar: “Jemi si të brengosur.” “Si të varfër, por shumë veta i bëjmë të pasur; si njerëz që s’kanë asgjë, por kanë gjithçka…” Brengë dhe gëzim. Varfëri dhe dhënie. Asgjë dhe gjithçka. A nuk është kjo një ilustrim i jetëve të të krishterëve tani këtu në tokë? Besimtarët nuk janë imunë ndaj dhimbjeve të kësaj jete, por Fjala e Perëndisë ofron ndarjen boshtore të një zemre që dhemb, por prapë e mbushur plot gëzim.
Si reaguan Pali dhe Timoteu ndaj zhgënjimeve të tyre? “Shumë veta i bëjmë të pasur.” Reagimi i natyrshëm i një zemre që dhemb është të izolojë veten dhe të përqendrohet te vetja, të mendojë thellë për gjithë mjerimet e kësaj jete dhe jetët e mrekullueshme që ne mendojmë se të tjerët kanë rreth pemës së Krishtlindjes.
Ju mund të mendoni: “Unë nuk kam asgjë për t’i ofruar ndonjërit këtë Krishtlindje”. Dhe ju mund të keni të drejtë duke e njohur veten tuaj. Por besimtari në Krishtin ka gjithmonë pasuri për të dhënë. Ju keni mijëra premtime të Perëndisë për të ndarë. Keni dhuratën e pranisë suaj, aftësinë për të qenë duart dhe këmbët e Jezusit te dikush që gjithashtu vuan.
Në artikullin e tij “Pesë mënyra për të ngushëlluar të lënduarit këtë Krishtlindje”, pastor Roxher Beriër thekson se ngushëlluesit duan që të vijnë të paftuar. Ai citon këto fjalë që Jobi iu tha miqve të tij: “Nuk mund të rrini këtu me mua dhe thjesht të thoni që ju vjen keq ndërkohë që unë përpiqem të mbijetoj?”. Kur japim nga pasuritë frymërore që na janë dhënë… edhe fjalët “më vjen keq për dhimbjen tënde”, ndërsa vetë ju kaloni përmes mundimeve tuaja, janë si një balsam për zemrën tuaj që dhemb këtë Krishtlindje. Kur ju guxoni të “shfaqeni” madje të paftuar, për të ecur së bashku me dikë tjetër që e dini që po kalon dhimbje, mund të befasoheni nga… gëzimi.
Boni Sala është presidente e Shërbesës Ndërkombëtare Guidelines.