Fjalët e urta 28:13 na paralajmëron: “Kush i fsheh shkeljet e tij nuk do të ketë mbarësi; por ai që i rrëfen dhe i braktis ato, ka për të fituar mëshirën.” Kështu, ne mendojmë për jetën tonë dhe kuptojmë se sa të prirur jemi për të mëkatuar. Por ndoshta, më e rrezikshme se kjo, është se kur mëkatojmë, jemi të prirur ta mbulojmë mëkatin, ta fshehim dhe të bëjmë sikur nuk është aty dhe sikur nuk ka ndodhur.
Kjo Fjalë e urtë na e bën të qartë këtë, në formën e një paralajmërimi. “Kush i fsheh shkeljet e tij nuk do të ketë mbarësi.” Por në të kundërt, dëgjoni këtë: “ai që i rrëfen dhe i braktis ato, ka për të fituar mëshirën.” Kur mëkatojmë, ne thjesht mendojmë: “Oh, më e mira që mund të bëj, është ta fsheh këtë gjë dhe të bëj sikur nuk ka ndodhur.” Por Bibla na inkurajon: “Mos e bëni këtë, sepse nuk do të keni mbarësi. Mbarësia vjen vetëm kur e rrëfeni mëkatin tuaj, kur e braktisni atë dhe kështu, do të gjeni mëshirë.”
Kështu, mendoni për mëkatin në jetën tuaj. mendoni për tendencën që keni për ta fshehur mëkatin dhe për t’u shtirur sikur nuk keni bërë asgjë. Kuptoni se kjo gjë nuk do t’ju sjellë mbarësi. Ndoshta ju mendoni: “Epo, nuk dua ta pranoj hapur këtë gjë.” Dhe kjo nuk është mencuri. Ju mendoni se nëse e fshihni, do të jetë më mirë, por nuk është kështu, sepse Jezusi ka paguar cmimin për atë mëkat.
Kur ne vijmë para Perëndisë, E para e Gjonit, kapitulli një, vargu 9, thotë: “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.” Prandaj, nuk ka përse ne të kemi frikë nga rrëfimi i mëkateve. Ajo gjë nga e cila duhet të kemi frikë, është fshehja e mëkatit dhe mendimi se, nëse e fshehim, do të jetë gjë e mirë për ne. Kjo nuk do të jetë e mirë për ne dhe nuk e nderon Perëndinë. Perëndia lartësohet kur ne i rrëfejmë mëkatet tona, kur pendohemi për to. Atëherë, Ai do të derdhë mëshirën e Tij mbi jetën tonë. Ai është i gatshëm ta bëjë këtë, sa herë që ne rrëfejmë mëkatet tona.
Kështu, ne lutemi, Perëndi, na ndihmo. Perëndi, na ndihmo të mos e fshehim mëkatin dhe të mos shtiremi sikur ai nuk është aty. Na ndihmo t’i rezistojmë tundimit për ta mbuluar mëkatin. Perëndi, na ndihmo të mos e bëjmë këtë. Na ndihmo ta rrëfejmë mëkatin me sinqeritet para Teje. Na ndihmo ta rrëfejmë me sinqeritet para të tjerëve, sidomos kur kemi mëkatuar ndaj dikujt tjetër, ose kur ai mëkat ndikon tek të tjerët. Perëndia, na ndihmo ta rrëfejmë mëkatin para Teje dhe para të tjerëve.
Dhe në procesin e largimit nga mëkati dhe pendimit për mëkatin, Zot, ne lutemi për mëshirën Tënde. Perëndi, ne lutemi që mëshira Jote ta mbulojë mëkatin tonë. Ne të lavdërojmë Ty dhe të falenderojmë që nuk ka përse ta mbulojmë mëkatin tonë, sepse Ti ke bërë të mundur që gjaku i Jezusit ta mbulojë atë mëkat dhe Ti na tregon së sa marrëzi është kuyr përpiqemi ta mbulojmë vetë.
Perëndi, mos na lejo ta fshehim mëkatin. Ne lutemi të na ndihmosh ta rrëfejmë atë me sinqeritet dhe përulësi para Teje dhe para të tjerëve. Na ndihmo të largohemi prej tij dhe në këtë proces, të gjejmë mëshirën Tënde. Në emër të Jezusit ne lutemi, Amen.