Ndryshimet e temperaturës me tendencë uljen e tyre, rifillimi i vitit shkollor, shtimi i kontakteve në mjediset e mbyllura, rihapja e shumë aktiviteteve socio-ekonomike dhe shtimi i qarkullimit me mjetet e transportit publik sjellin një tendence në rritje të infeksioneve te shumta virale gjatë periudhës së vjeshtës.
Por për të diskutuar më gjerësisht për infeksionet virale që prekin fëmijët në këtë periudhë në programin “Zgjohu Pozitiv” në Radio 7, në një lidhje telefonike ishte pediatria Zerina Sheme.
Ajo u shpreh se stina e vjeshtës karakterizohet nga lagështira dhe ndryshimet e temperaturës dhe këto padyshim ndikojnë në infeksionet e stinës.
“Stina e vjeshtës karakterizohet nga lagështira dhe ndryshimet e temperaturës midis ditës dhe natës. Kjo shoqërohet dhe me faktorët e kujdesit tek fëmijët. Nënat i veshin hollë që mos djersijnë ose i veshin trashë. Por në të dyja rastet faktorët e kujdesit ndikojnë tek infeksionet e stinës”.
Disa nga shenjat e para të virozave tek fëmijët janë hundët e zëna, dhimbje fyti, temperaturë dhe kollë.
“Shenjat e para janë hundët e zëna, dhimbje fyti dhe kollë. Kolla shfaqet në formën e një kolle të thatë, gërvishtëse që shoqërohet ndonjëherë me ngjirje zëri, gjithashtu dhe një temperaturë të lehtë. Tjetër shenjë është dhimbje fyti mbi moshën 3 vjeç, që preken kryesisht bajamet dhe dhimbje veshi që në moshat e vogla shoqërohet me grindje pa u kuptuar”.
Sipas pediatres Sheme është e rëndësishme që prindërit t’i kushtojnë kujdes ditës ushqimore të fëmijës së tyre. Këshillohet një dietë e ekulibruar, e pasur me perime dhe fruta.
“Së pari duhet t’i japin një qetësues të temperaturës, ndërsa fëmijët që kanë kollë të thatë është e rëndësishme dhe higjena e ambientit. Mos e lini të djersijë. Dita e ekulibruar ndikon tek imuniteti i fëmijës. Të marrin sasi protinash siç ia rekomandojnë mjekët e konsultoreve ose mjekët pediatër, një dietë e ekulibruar me perime dhe fruta. Nëse do marrin fruat nuk është e nevojshme të marrin sumplemente me fruta në farmaci. Të gjitha këto ndikojnë në rritjen e imunitetit”.
Zerina Sheme ndau edhe disa këshilla dhe u shpreh se shumë e rëndësishme është veshja dhe higjena personale e fëmijëve dhe ambientit.
“Këshillat janë faktorët e kujdesit, në rradhë të parë veshja. Çdo nënë në shtëpi të mbajë ujë fiziologjik për të bërë lavazhin e hundës sepse të gjitha këto viroza fillojnë tek hunda. Nëse hunda është e pastër duke bërë lavazh me ujë fiziologjik, atëherë keni parandaluar komplikacionet e laringitit, të infeksionit të bajameve dhe të infeksionit të veshit. Ujin fiziologjik përdoreni 5-6 herë në ditë, sa herë që fëmija ka hundët e zëna. E dyta, qetësuesit e temperaturës dhe të dhimbjes duhen përdorur menjëherë sa të ketë shqetësim fëmija. Nëse gjendja pas 2-3 ditësh do të rëndohet dhe fillon vështirësia në frymëmmarrje, atëherë duhet të konsultoheni me mjekun e patronazhit. Edhe higjena e ambientit ndikon, pra duke shmangur kontaktet me grumbullime të mëdha njerëzish dhe larja e shpejtë e duarve”.