Muaji i Nderimit të Pastorit është një kohë e veçantë ku besimtarët vendosin çdo vit të nderojnë pastorët dhe familjet e tyre pastorale për punën e palodhur, përkushtimin sakrifikues dhe bekimet e shumta që marrin nga këta njerëz të veçantë. Zakonisht është planifikuar në Tetor, por mund të mbahet në çdo kohë që është e përshtatshme për kishën dhe komunitetin. Është gjithashtu e rëndësishme të kujtojmë se ne duhet të nderojmë, pranojmë dhe mbështesim në lutje udhëheqësit tanë shpirtërorë gjatë gjithë vitit.
Natyra e shërbesës së ofruar nga pastorët dhe familjet e tyre është unike. Zoti u ka besuar atyre një nga detyrat më të çmuara – mirëqenien shpirtërore të kopesë së Tij. Kur një pastor nuk është i efektshëm, vetë shpirtrat e besimtarëve të tij ose të saj rrezikohen. Kur bëhet fjalë për përjetësinë, të gjithë duhet të shqetësohemi.
Pastorët dhe familjet e tyre jetojnë nën presione të pabesueshme. Jeta e tyre është në qendër te vëmendjes dhe komuniteti ndjek çdo lëvizje të tyre. Ata pritet të kenë familje ideale, të jenë njerëz të përsosur, të jenë gjithmonë në dispozicion, të mos jenë kurrë të dekurajuar dhe të kenë të gjitha përgjigjet që na duhen për të patur një jetë të qëndrueshme dhe për të ecur përpara. Këto janë pritje jorealiste për këdo, megjithatë shumë prej nesh zhgënjehen kur një pastor është i mbingarkuar, duket i dëshpëruar, na zhgënjen apo ezaurohet plotësisht.
Kjo është arsyeja pse Zoti na ka udhëzuar të nderojmë shërbëtorët e Tij.
“Pleqtë që drejtojnë mirë bashkësinë, le të shpërblehen dyfish, sidomos ata që mundohen në predikim e në mësimdhënie. ” (1 Timoteut 5:17).
Lajmi i mirë është se ne mund të bëjmë një ndryshim! Muaji i Nderimit të Pastorit është një mënyrë se si mund t’i kundërvihemi erozionit negativ në jetën e udhëheqësve tanë shpirtërorë me nderimin pozitiv që u nevojitet.
Historia e Muajit të Nderimit të Pastorit
Mendohet se koncepti i nderimit të pastorit filloi me Apostullin Pal kur ai ishte duke themeluar kishat e para të krishtera. Tek 1 Timoteut, ai shkroi: “Pleqtë që drejtojnë mirë bashkësinë, le të shpërblehen dyfish, sidomos ata që mundohen në predikim e në mësimdhënie. “ (1 Tim. 5:17). Dhe, në 1 Thesalonikasve, ai tha: “Tashmë, vëllezër, ju lutemi të keni respekt për ata që mundohen midis jush, që janë në krye ndër ju në Zotin dhe që ju qortojnë, edhe t’i vlerësoni shumë në dashuri për veprën e tyre. Jetoni në paqe midis jush.”(1 Thes. 5: 12-13).
Prandaj, gjatë shekujve, dekadave dhe viteve, pastorët janë vlerësuar dhe nderuar, zyrtarisht ose jozyrtarisht, nga shumë denominacione dhe kisha lokale në periudha të ndryshme të vitit. Ka qenë një praktikë e përhershme.
Duke filluar nga vitet 90’ organizata dhe kisha në mbarë botën kujtojnë besimtarët se është biblike dhe e përshtatshme të nderojnë stafin e tyre pastoral dhe familjet e tyre gjatë gjithë vitit, por duke sugjeruar që ata të veçojnë muajin tetor për vlerësim më të veçantë e të prekshëm. Sidoqoftë, nderimi i të gjithë stafit pastoral të një kishe dhe familjeve të tyre mund të bëhet në çdo kohë – dhe, në fakt, duhet të bëhet një pjesë normale e kujdesit të vazhdueshëm të një kishe për këto familje të veçanta gjatë gjithë vitit.