Lavdërim vs Qortim
Sa më shumë që mësuesja të përdorë lavdërim vs qortim, aq më shumë fëmija do të fokusohet tek detyrat e shkollës dhe mësimet. Kështu raporton një studim që është publikuar në revistën “Psikologjia Edukative”.
“Teksa mësueset e shkollës fillore lavdërojnë më shumë se ndëshkojnë, sjellja e nxënësve kundrejt detyrave përmirësohet,” tha Paul Caldarella, profesor në departamentin e këshillimit, psikologjisë dhe edukimit në Universitetin Brigham Young.
Jo vetëm kjo, shtoi ai, por më shumë lavdërim nga mësuesi dhe më pak qortim prej tij bën që fëmijët të fokusohen më shumë në mësimin e tyre.
Lavdërimi është çelësi
Kërkime të mëparshme kanë treguar vazhdimisht se lavdërimi është strategjia më e thjeshtë që një mësuese mund të përdorë për të forcuar sjelljen e mirë të nxënësve. Kjo, tregojnë studimet, lidhet drejtpërdrejtë me pikë më të larta akademike dhe rezultate sociale më të mira.
Kur mësuesja qorton, rrit sjelljen e keqe të nxënësve dhe shfaqet një mungesë vullneti për t’iu bindur udhëzimeve.
Pavarësisht të dhënave të qarta, studimet në klasa me kalimin e viteve nuk kanë parë ndonjë përdorim të lartë të lavdërimit në klasë. Në fakt, lavdërimi i mësueses priret të bjerë kur fëmijët rriten, ndërsa përdorimi i qortimit shtohet.
Nuk është realiste të imagjinosh që një mësues të mos përdorë kurrë një qortim; edhe mësuesit më pozitiv do t’i duhet të ndalojë sjelljen e keqe të nxënësve shpejt. Po ashtu, studimet tregojnë që të përdorësh sa më pak qortime është mirë.
Në fakt, edukatorët zakonisht sugjerojnë se një raport 3:1 ose 4:1 i lavdërimit dhe qortimit është më i mirë. Kjo do të thotë se për çdo qortim, një mësues duhet të sigurojë 3 ose 4 lavdërime. Gjithsesi janë bërë kërkime të vogla për të parë nëse raporti ishte me të vërtetë efektiv, tha Caldarella.
Sa lavdërim nevojitet?
Për të provuar këtë, skudra e Caldarella-s kaloi tre vite duke numëruar lavdërimet dhe qortimet e mësuesve në 151 klasa në 19 shkolla fillore, në shtetet e Missouri, Tennessee dhe Utah.
Skuadra vëzhgoi ndërveprimin e mësueses me një total prej 2,536 nxënësish, nga mosha 5 deri 12, që kishin qenë në kopsht në moshën 6 vjeç.
Gjysma e këtyre klasave ishin “kontroll”, ku mësueses iu tha të mësonte ashtu siç bënte zakonisht. Ndërsa mësueseve të tjera iu kërkua që të ndiqnin një program që ndërhyn në sjellje dhe që quhet CW-FIT. Kjo do të thotë “Funksioni i klasës së gjerë, i lidhur me skuadrat e ndërhyrjes,” një program që u ka siguruar mësuesve metoda alternative për të trajtuar sjelljen e nxënësve, që nga viti 2005.
Në programin CW-FIT mësuesit në fillim u mësonin fëmijëve aftësitë sociale përmes qortimit, diskutimit, dhe dramave. Ndërsa, mësueset e tjera i lavdëronin nxënësit kur i ndiqnin këto sjellje të mira sociale. Kur klasa arrinte një qëllim të paravendosur, mësuesja e shpërblente skuadrën duke i lavdëruar gjithashtu. Nëse nxënësit nuk përgjigjen ndaj kësaj radhe trajnimi, ka edhe nivele më të avancuara po ashtu.
Dy studime të gjera të mëparshme të CW-FIT, të kryera nga skuadra e Caldarella-s kanë treguar se fëmijët në këto programe ishin më të përfshirë. Në të njëjtën kohë, nivelet e sjelljes përçarëse u ulën.
Lavdërim vs Qortim – Sa më shumë lavdërim më mirë
Studimi i ri Caldarella-s e përcakton lavdërimin si “një tregues verbal i aprovimit” kur një nxënës sillet siç duhet, më shumë se sa si një pranim i reagimit korrekt. Një qortim u përcaktua si “moasaprovim verbal (duke përfshirë një kërcënim ose sharje)” ndaj sjelljes së papërshtatshme, ose si një udhëzim që ajo sjellje duhet të ndalojë.
Efekti ishte në përpjesëtim të drejtë. Pra, sa më shumë lavdërim, më shumë përmirësim në vëmendjen dhe bashkëveprimin e nxënësit në detyra. Ata që lavdëronin më shumë panë më shumë se 30% rritje të sjelljes pozitive tek nxënësit.
“Edhe kur mësuesit lavdëruan aq sa qortuan, sjellja e etiketuar u përmirësuar me 60%,” tha Caldarella. “Nëse mësuesit shtojnë lavdërimet në raport me qortimet, deri në raportin 2:1, do të shohin përmirësime më të mëdha.”
Caldarella i rekomandon prindërit që të provojnë t’i kërkojnë mësueses ta lavdërojë fëmijën e tyre. Por nëse nuk është e mundur, të ndajnë rezultatet e këtij studimi me shkollën dhe mësuesen e fëmijës. Kjo është një mënyrë për të inkurajuar adoptimin e lavdërimit më shumë se qortimit.
“Sjellja që përforcohet priret të rritet,” tha Caldarella. “Nëse mësuesit i lavdërojnë nxënësit për sjelljen e tyre të mirë është e logjikshme që kjo sjellje do të rritet.”
Burimi: CNN
Lexo më shumë: 3 gjëra që një mësues do donte që prindërit të dinin