Të mendosh se disa fakte rreth Jezusit janë të vërteta nuk është njësoj si t’i besosh Atij.
Cili term përshkruan jetën tuaj të krishterë: besimtar apo ndjekës i Krishtit? Një besimtar mund të jetë i sigurt për gjërat pa i vënë domosdoshmërisht ato në praktikë. Por një ndjekës praktikon atë që beson. Çfarë duhet të bëjmë të ndjekim Jezusin?
1. Së pari, duhet t’i besojmë Atij (Gjoni 14:1) sepse nuk mund të ndjekim dikë që nuk i besojmë. Besimi zhvillohet kur ne qëndrojmë në Të dhe zbulojmë bukurinë e karakterit të Tij, dashurinë dhe planin e Tij.
2. Së dyti, ne duhet t’i bindemi Atij (Gjoni 14:15). Një ndjekës i vërtetë i Jezusit do të kombinojë besimin me bindjen, duke u përpjekur të thotë “Po, do ta bëj” edhe kur është e vështirë, “Po, do ta bëj” edhe kur nuk e pëlqen dhe “Po, do ta bëj” edhe kur mund të na shkaktojë dhimbje zemre.
3. Së fundi, ne duhet t’i shërbejmë Atij. Perëndia nuk do që bijtë e Tij të jenë thjesht vëzhgues, por të jenë pjesëmarrës aktivë në punën e Tij. Jemi thirrur të përdorim dhuntitë tona frymërore dhe të bëjmë pjesën tonë si trupi i Krishtit (1 Kor. 12:27-28).
Jezusi dha shembullin e përsosur: Ai i besoi plotësisht Atit të Tij, iu bind Atij duke sakrifikuar (Filip. 2:8) dhe jetoi një jetë në shërbesë (Mat. 20:28). Ne jemi thirrur të imitojmë Zotin dhe Shpëtimtarin tonë. Në cilën fushë keni nevojë për ndihmë? Kërkojini Frymës së Shenjtë që t’ju japë një frymë besimplote dhe të bindur.