Lexo:Psalmi 119:97-104
Oni psherëtiu duke ngacmuar copën e ëmbëlsirës që e kishte lënë përgjysmë, dhe pastaj i tha nënës së tij: “Nuk ka gjë më të shijshme se kjo. Sa do të doja që të mos e kisha këtë shije të çuditshme në gojë.” Atë ditë, Oni kishte qenë tek dentisti dhe njërën anë të gojës e kishte mpirë në mënyrë që të mos i dhembte kur dentisti t’i hiqte dhëmbin.
Nëna qeshi duke e këshilluar: “Prit edhe pak! Në gjuhën tënde ka shumë sytha të shijes, dhe kur dentisti e mpiu gojën, gjilpëra i mpiu edhe ato. Si thua sikur ta ruash për më vonë ëmbëlsirën? Atëherë ka për të të shijuar më shumë.” Oni tundi kokën, u ngrit dhe e vendosi ëmbëlsirën në frigorifer. Më pas nxori xhaketën e tij nga dollapi. “Është pak herët që të nisesh për në klubin e Biblës, apo jo?”
Oni ngriti supet dhe u përgjigj: “Të lutem, a mund të mos shkoj sot? Dua të luaj me djemtë.”.
Fillimisht nëna nuk foli, por më pas e pyeti: “Edhe sythat shpirtëror të shijes të janë mpirë?”. Oni u ndal dhe me njërën dorë të futur në xhepin e xhaketës, vështroi nënën e tij dhe e pyeti: “Nuk e kuptova çfarë deshe të thuash.”.
Nëna iu përgjigj: “Po ja, unë mbaj mend që dikur ti emocionoheshe shumë për klubin e Biblës. Ti thoshe se argëtoheshe me lojërat pyetje-përgjigje, me lojërat rreth Biblës dhe me këngët e bukura. Kur vije në shtëpi, më tregoje mësimin, atë që kishe mësuar për Perëndinë dhe se çfarë pret Ai nga fëmijët e Tij. Më pas, unë të ndihmoja të mësoje përmendësh vargun e radhës, kështu, ti mund ta praktikoje gjithë javën. E mban mend?”
Oni tundi kokën dhe i tha: “Unë ende e pëlqej klubin e Biblës,por ka kaq shumë gjëra të tjera që mund të bëj sa…”
Ai heshti dhe mendoi me vete: “Mbase nëna ka të drejtë, mbase sythat shpirtëror të shijes janë mpirë.” Ngadalë, Oni e vari xhaketën e tij në dollap. “A kam kohë që ta mësoj vargun për sot?” – pyeti Oni.
Nëna buzëqeshi duke i thënë: “Mendoj se po! Mpirja në gojën tënde së shpejti do të ikë vetë, por ne duhet të punojmë me mpirjen shpirtërore. Një mënyrë e mirë për të filluar është duke u kthyer tek Fjala e Perëndisë.”
Po ti a po e shijon mësimin e Fjalës së Perëndisë? Apo sythat shpirtërorë të shijes të janë mpirë nga programet televizive, lojërat, gjërat personale që të pëlqejnë dhe nga detyrat e shtëpisë? Lexoje Biblën tënde dhe prit që Perëndia të të flasë. Mëso të thuash bashkë me psalmistin: “Oh, sa shumë e dua ligjin tënd.”. Kur punon për të larguar mpirjen shpirtërore, do të mahnitesh se sa shpejt kjo do të jetë e vërtetë në jetën tënde.