Frika e Zotit është parimi i diturisë, dhe njohja e të Shenjtit është zgjuarsia.- Fjalët e Urta 9:10
Kjo është dita e fundit e një tjetër viti. Për pak, rëra që gjendet tek Klepsidra (orë më rërë) do të bjerë poshtë dhe një vit i ri, e disi frikësues do të vijë. Për disa nga ditët në vazhdim, ti do ta shkruash datën e vitit gabim, deri sa të mësohesh me idenë se ka ndryshuar. Një vit i ri ka ardhur.
Kur kupton se viti që vjen është një zgjatim i vitit që shkoi, kjo e bën atë më pak të frikshëm. Njësoj si në një ditëlindje, ti je vetëm një ditë më i vjetër se ç’ishe dje, jo një vit. Tabelat e rrugëve në autostradë, nuk na tregojnë vetëm sa larg kemi shkuar, por edhe se sa distancë na ka mbetur deri në qytetin e radhës. Po kështu ne duam të dimë edhe për atë që na pret në të ardhmen.
Ashtu siç Baron Rothschild ka thënë, “ Hiqi kapelën së shkuarës dhe përvish mëngët për të ardhmen…” E megjithatë ne jemi gjithmonë të mbushur me frikë për të panjohurën. Imagjino një fëmijë që përballet me ditën e tij të parë të shkollës, apo një të rritur në ditën e tij të parë të punës. Ne jemi disi të shqetësuar se çfarë do të vijë. Përgjithësisht arsyeja së përse kemi frikë nga e ardhmja, është se nuk kemi mundur të bëjmë paqe me të shkuarën. Dështimet na faniten dhe ne pyesim veten nëse e ardhmja, mund të jetë një përsëritje e së djeshmes.
Lloyd George, ish-Kryeministri Britanik, ishte duke luajtur golf me një mikun e tij. Atyre ju desh që të ecnin përmes një gardhi. Partneri i tij e shtyu portën e cila ishte e mbyllur, por nuk u kujdes që ta mbyllte atë me shul kur u largua. George duke e parë këtë gjë, u kthye dhe e siguroi portën. Pastaj George po i tregonte mikut të tij për një doktor që ishte në shtratin e vdekjes. Pasi thërriti familjen dhe miqtë pranë tij, ai tha këto fjalë lamtumire,” Mbyll çdo derë ku ke kaluar.” Lloyd George tha se kishte marrë më shumë urtësi nga kjo shprehje, se sa nga gjithçka tjetër që kishte dëgjuar.
“Mbyll çdo portë.” Të mbyllësh një portë ndaj dështimeve të së shkuarës do të kërkojë dy gjëra: Faljen e Perëndisë dhe harresën tënde. Falja e Tij dhe vullneti yt për të mbyllur portën. Kur Perëndia fal gabimet dhe dështimet e tua, Ai i fshin ato sikur të mos kishin ndodhur kurrë. Kur Perëndia të fal, ti mund të përballesh me të ardhmen, duke e ditur se dështimet e së shkuarës nuk do të shkatërrojnë të ardhmen tënde. Kjo do të thotë të mbyllësh portën.
Gjëja e dytë që duhet të bësh është të falësh veten tënde. Ndonjëherë kjo është më e vështirë për t’u bërë, se sa të gjesh faljen nga Perëndia. Perëndia ka dhënë Birin e Tij, që ne të mund të kemi falje. Përse duhet që ne mos të falim veten tonë, duke qenë se Ai na ka falur? Të mbyllësh portën, të jep shpresë për të nesërmen.
R. M. Offord ka shkruar: “ Një vit që nuk e njoh gjendet përpara meje. Nuk mund të them nëse ai do të më sjellë surpriza, gëzim, apo hidhërim. Por Perëndia, Ati im, e di mirë këtë. Unë nuk shqetësohem, por ja lë gjithçka në dorë Dashurisë Hyjnore. Ndaj zemra ime forcohet , ndërsa të tjerët provojnë frikë e tmerr. O vit i panjohur! Ti mua nuk më tregon asgjë, por sytë e Atit tim mund të të shohin. Nuk ka sëmundje që Ai nuk shëron; Fjala e Tij më siguron për gjithë të mirat. Ai do të më shohë përgjatë udhëtimit tim, e për çdo ditë do të më japë forcën që më nevojitet për të plotësuar nevojat e mia. Unë pushoj mbi Fjalën e Atit tim, çfarëdo që të vijë do të jetë më e mira.”
Patjetër, jo të gjithë e kanë këtë siguri, sepse ata nuk janë përkushtuar plotësisht. Nëse ti je një prej tyre, të inkurajoj që të kontaktosh me ne. Do të doja shumë të tregoja se si mund ta vendosësh besimin sot tek Shpëtimtari që jeton.