Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve
20 nëntori është shënuar në kalendar si “Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve”. Përcaktimi i kësaj dite ka marrë shkas nga Konventa për të drejtat e fëmijëve, e miratuar në 20 Nëntor 1989. Gjithashtu kjo ditë ka për qëllim të jetë ditë aktivitetesh. Për të promovuar kështu idealet dhe objektivat e Kartës për të Drejtat e Fëmijëve si dhe mirëqenien e fëmijëve të botës.
Data 20 nëntor përkon me ditën e miratimit të Deklaratës për të Drejtat e Fëmijëve në vitin 1959. Gjithashtu me miratimin e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve në vitin 1989.
Sipas Konventës për të drejtat e njeriut, përfshin të drejtën e jetës, të drejtën e shëndetit, edukimit dhe lojës.
Gjithashtu të drejtat për të patur një familje, për t’u mbrojtur nga dhuna dhe diskriminimi.
Të gjitha vendet anëtare të cilat e kanë miratuar Konventën për të drejtat e fëmijëve, morën obligimin për të ndërmarrë të gjitha masat ligjore, administrative, sociale dhe arsimore për t’i mbrojtur fëmijët nga çfarëdo lloj forme të dhunës psikike, lëndimeve apo keqtrajtimeve, neglizhencës ose pakujdesisë, eksploatimeve, si dhe keqpërdorimit seksual.
Fëmijët janë një grup shoqëror mjaft i ndjeshëm. Ata mund të ekspozohen lehtë ndaj keqtrajtimit dhe dhunës. Prandaj paraqitet nevoja për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Fëmijët për çdo ditë janë të ekspozuar ndaj dhunës, eksploatimit, viktimizimit nga të rriturit, urisë, sëmundjeve dhe mungesës së kushteve socio-ekonomike për një jetë të shëndetshme dhe aktive në vendet e varfra ose vendet në zhvillim. Problem shtesë për fëmijët është qasja në edukim, shfrytëzimi i punës së fëmijëve për të lypur, punë në fabrikë dhe si pjesë e industrisë jolegale seksuale. Një nga problemet më të mëdha është tregtia ilegale me fëmijë dhe organe. Ajo është më prezente në mjediset ku fëmijët nuk kanë kushte për marrjen e dokumenteve personale.