Izraeli është nën rrethim. Regjimi qeverisës i Gazës, Hamasi, ndërmorri një sulm të befasishëm kundër Izraelit. Herët në mëngjesin e datës 7 tetor, Hamasi lëshoi me shpejtësi mijëra raketa për të mposhtur sistemin e mbrojtjes raketore “Iron Dome” dhe goditi zonat e populluara. Sulmet e tyre vërshuan edhe përtej kufirit, duke vrarë njerëz të pafajshëm dhe duke marrë pengje. Kjo e detyroi Izraelin të ndërmarrë një sërë veprimesh të jashtëzakonshme, duke përfshirë vendosjen e një rrethimi të përkohshëm në Gaza. Ata po bëjnë gjithçka që është e mundur për të shpëtuar 150 pengjet izraelite të rrëmbyer nga Hamasi. Me qindra njerëz në Izrael kanë vdekur dhe mijëra të tjerë janë plagosur dhe traumatizuar.
Kjo çështje ka një impakt personal për mua. Isha në Shtëpinë e Bardhë kur Presidenti Trump shpalli marrëveshjen historike të njohur si Marrëveshja e Abrahamit, dokumentet e së cilës u nënshkruan më vonë. Më ftuan të lutesha edhe në hapjen e Ambasadës Amerikane në Jeruzalem, një ngjarje historike botërore e ndodhur pesë vjet më parë. Unë besoj se Marrëveshja dhe Ambasada ishin cështje kyçe të një rëndësie të madhe politike, morale dhe biblike.
Edhe pse koha dhe shkallëzimi i këtij konflikti ishin të befasishme, sulmet kundër Izraelit kanë vazhduar prej mijëra vitesh. Hamasi ka qënë një kërcënim për sigurinë e Izraelit për aq kohë sa ka qenë në pushtet. Kjo e bën akoma më të pakuptimtë faktin që Izraeli është kritikuar aq shumë për shkak të qëndrimit të tij të ashpër kundër Hamasit. Për një kohë të gjatë, komentatorët e krahut të majtë të politikës Amerikane kanë kritikuar ndërveprimet mbrojtëse të Izraelit dhe kanë injoruar ç’ekuilibrin e madh moral midis dy palëve.
Kur të bëni vlerësimin e çdo konflikti midis Izraelit dhe Hamasit, duhet të keni parasysh një ndryshim thelbësor. Izraeli është një shtet-komb; kurse Hamasi jo. Hamasi është një organizatë terroriste. Ky nuk është mendimi im – Hamasi ka qenë në listën e Departamentit të Shtetit të “Organizatave të Huaja Terroriste” që nga vitet 1990. Sulmet e ditëve të fundit të Hamasit e kanë treguar arsyen pse. Hamasi ka marrë peng izraelitët e pafajshëm dhe kjo tregon se vështirë se i trajtojnë njerëzit e tyre më mirë. Javën e fundit, Hamasi ka hedhur mijëra raketa që kanë goditur si hebrenjtë ashtu edhe arabët që jetojnë në Izrael, duke synuar qendrat e populluara. Ata kanë marrë pengje, kanë viktimizuar gra dhe kanë vrarë izraelitë të paarmatosur me gjakftohtësi. Shtetet sovrane kanë të drejtë dhe detyrë të mbrojnë popullin e tyre nga çdo lloj sulmi të paprovokuar. Izraeli ka çdo të drejtë të përdorë forcën e nevojshme për të zmbrapsur këto sulme të padrejta dhe për të neutralizuar kërcënimin e tmerrshëm për sigurinë dhe jetën e tyre.
Sulmet e Hamasit janë rezultat i pretendimeve të tyre mbi tokën e Izraelit, pretendime të ndërtuara mbi një teologji dhe një histori të rreme. Mund të lexoni çdo libër historie ose thjesht lexoni Biblën dhe do të shihni se—Izraeli nuk është uzurpator i tokës që ka. Ata janë grupi më i mirë-dokumentuar i banorëve vendas, autoktone që kanë zënë ndonjë pjesë territori.. Perëndia u dha atyre tokën të cilën po e mbrojnë tani, që nga koha e Abrahamit (Zanafilla 15:18–21). Ndaj duhet të ndërmarrin çdo masë të nevojshme për të mbrojtur popullin e tyre. Gjithashtu duhet të kenë edhe mbështetjen e SHBA-së, si tani ashtu dhe çdo herë tjetër që mund të sulmohen nga terroristët që përpiqen të marrin atë që nuk ishte e tyre që nga fillimi.
Pesë vjet më parë, kur po qëndroja jashtë Ambasadës Amerikane në Jeruzalem, e përfundova lutjen time duke cituar lutjen e Psalmistit: “Lutuni për paqen e Jeruzalemit… Pastë paqe brenda mureve të tua dhe begati në pallatet e tua!” (Psalmi 122:6–7). Ne duhet ta mbështesim plotësisht Izraelin ndërsa po mbrohet, ndërkohë që lutemi me zjarr që të ketë paqe së shpejti. Edhe pse shumë do ta sulmojnë atë, ne e dimë se këto skema satanike nuk do të kenë sukses. Perëndia ka premtuar se Izraeli do të qëndrojë përgjithmonë. Zoti është besnik. Ai gjithmonë thotë të vërtetën. Çdo premtim i dhënë për Izraelin do të plotësohet!
Ndajmë të vërtetën e Fjalës së Zotit,
Dr. Robert Jeffress