Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus, që nuk ecin sipas mishit, por sipas Frymës. (Romakët 8:1)
Në zemrën tënde mund të kesh shqetësimin, se në ditën kur do të qëndrosh përpara Zotit, a do të përshëndetesh me gëzim, apo do të refuzohesh? Shumë njerëz e mendojnë këtë! Në fakt, ka disa grupe që mësojnë se ti nuk mund të jesh i sigurt nëse ke rilindur sërish, derisa të kalosh dyert e Parajsës, edhe pse- le të themi troç- do të ishte pak vonë që të mund të bëje diçka në lidhje me këtë.
Kur Pali u shkruan Romakëve, ai thotë, “ Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus.“ Ndalo për një moment. Kujt i është shkruar kjo? Ai e nis letrën duke thënë, “ Pali, një shërbyes i Jezus Krishtit… ju të gjithë që jeni në Romë, të dashur nga Perëndia, të thirrur shenjtorë” ( Romakët 1:1-7) .
Duke shkuar në fund të letrës, ti zbulon se Pali, ka përmendur rreth 26 individë, duke cituar edhe emrin e tyre. Të përfshirë në këto emra janë edhe Prishila dhe Akuila, që kanë punuar me Palin në Korint; Epeneti, një burrë që ai e përshkruan si mikun e tij të dashur; Maria, e cila kishte punuar shumë për miqtë që gjendeshin në Romë; Ampliu, që Pali e donte në Zotin; e individë të ndryshëm, për të cilët janë dhënë vetëm një apo dy fjalë identifikimi. Çfarë dimë ne për këta njerëz? Historia na thotë se 2/3 e popullsisë së Romës, kanë qenë skllevër dhe kjo me shumë mundësi përfshin edhe disa prej emrave që Pali ka listuar, por Pali nuk e ka përmendur se kush ishin ata. Kjo ishte e parëndësishme, pasi ata ishin vëllezër dhe motra. Ndoshta dikush prej tyre mund të ketë pasur edhe një të shkuar homoseksuale, kjo mund të supozohet për shkak të numrit të lartë të njerëzve që në atë kohë e kanë praktikuar këtë stil jetese. E megjithatë sërish ky nuk është një fakt që na është përmendur nga Pali. Ai thjesht thotë “ Asnjë dënim për ata që janë në Krishtin.” Megjithatë, në paragrafin që hap këtë letër të famshme, Pali përmend diçka për të cilën kisha ishte e famshme. Ndërtesat? Jo! Përmasa e shërbesave të tyre? Jo, nuk ishte kjo. Shuma e madhe që kishin ofrimet e tyre për të ndihmuar punën e Palit? Jo. Ai thotë se besimi i tyre kishte shkuar në të gjithë botën. E çuditshme? E çuditshme do të ishte nëse do të thuhej në shekullin e 21, ku mentaliteti i shoqërisë thotë se më shumë është më mirë, e se ajo që në të vërtetë kanë rëndësi janë ndërtesat, shifrat dhe pushteti. Përse ishte besimi i tyre i rëndësishëm? Pali bën një deklaratë të rëndësishme që e pason këtë fjalë. Kjo fjalë është hapi i parë i asaj çfarë pason. Ai do të thotë “Vini re atë që sapo është thënë sepse ja tek është konkluzioni.” Në tre kapitujt e parë të librit, Pali thotë se gjithsecili është fajtor përpara Perëndisë. Askush nuk përjashtohet prej kësaj. Pastaj Ai thotë se Jezus Krishti pagoi çmimin për mëkatet tona dhe se –kjo është një pjesë e rëndësishme- Perëndia mori në konsideratë atë që Ai bëri ( që është përshkruar si drejtësi) dhe e vuri në llogarinë tonë, Ai pagoi çmimin për fajet tona që do të na çonin në dënim. A po bëhet më e qartë tabloja? Kam lexuar se disa psikologë sekularë fajësojnë Krishterimin sepse prodhon ndjesinë e fajit. Është pjesërisht e vërtetë, Krishterimi sjell një kuptim të nevojës që ne kemi për t’u falur; por kanë qenë me miliona njerëz ata që kanë ardhur në këmbët e kryqit të vjetër e të ashpër e kanë lënë atje barrët e fajit dhe të mëkatit,duke i lënë këto barra atje dhe duke u kthyer pastaj me gëzim dhe me paqe, sepse e dinin se ata janë falur dhe se janë mirë me Zotin.
Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne. Shumë më tepër, pra, duke qenë tani të shfajësuar në gjakun e tij, do të shpëtojmë nga zemërimi me anë të tij. ( Romakët 5:8-9)
Emri yt ndoshta nuk është i përfshirë në listën e gjatë të Romakëve 16 dhe është mirë që të gjithë ata që nuk jetojnë me barrën e dënimit, të lexojnë këtë letër të rëndësishme që është shkruar shekuj më parë. Ajo përmban një të vërtetë të pakohë, që i lë mënjanë psikiatrit dhe që vendos paqe në zemrat tona.