“Ai do të quhet Këshilltar i admirueshëm.”
Isaia 9:6
Në Bibël jepen rreth 365 emra dhe përshkrime që i referohen Jezus Krishtit, por asnjë nuk është më i këndshëm se sa emri që gjendet te Isaia, ku profeti tha: “Ai do të quhet Këshilltar i admirueshëm.”. Ashtu si një shkëndijë në një pemë, admirimi i Krishtit vështirë se mund të reduktohet me një ndërhyrje prej disa minutash. Por brenda disa minutave unë do t’ju flas për dhjetë mrekullitë e Krishtlindjes.
Së pari kemi mrekullinë e LINDJES SË TIJ. Lindja e çdo fëmije është një ngjarje admiruese, por lindja e Krishtit ishte parathënë nga profetët ndër shekuj. Perëndia i tregoi Abrahamit kombin përmes të cilit Krishti do të vinte. Jakobit i tregoi se Krishti do të ishte nga fisi i Judës. Isaias Zoti i përmendi një familje, linjë e Isait. Mikeas i pëshpëriti emrin e një qyteti. Danielit i zbuloi kohën e lindjes së Tij. Ngjarjet që na drejtuan te lindja e Krishtit ishin si mekanizma të një ore të shtrenjtë që duhej të lidheshin së bashku që kur të plotësohej koha, Jezusi te vinte në jetë në Bethlehem. Çfarë mrekullie!
Së dyti, kemi mrekullinë e DENJIMIT TË TIJ. Në të vërtetë, për ta kuptuar se çfarë do të thotë kjo, ne duhet të kujtojmë se si ishte qielli dhe se çfarë la Jezusi për të ardhur në botën tonë dhe në tabernakullin e trupit njerëzor. Nëse do ta kishin sajuar njerëzit lindjen e tij, atëherë nuk do të kishte qenë në një stallë për kafshë. Por mrekullia e denjimit të Tij tregon se Perëndia preku nevojat e njerëzimit pikërisht aty ku ne jemi.
Mrekullia e tretë e Krishtlindjes është mrekullia e KARAKTERIT TË TIJ. Edhe pse jemi të shpëtuar me anë të vdekjes së Krishtit, jeta e Tij është e mbushur me admirim. Kush tjetër përveç Jezusit mund të thoshte: “Cili nga ju më bind për mëkat?” (Gjoni 8:46) Ai restauroi jetën e rënë. Ai dha jetën e Tij që ne të mund të kemi jetë të re në Krishtin.
Mrekullia e katërt e Krishtlindjes është mrekullia e PERSONIT TË TIJ. Ai ishte njeri, por edhe hyjnor. Ai u lodh, por prapë tha: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju çlodh” (Mateu 11:28). Ai pati uri, por prapë mori pesë bukë dhe dy peshq dhe ushqeu një mori njerëzish. Ai ishte drita e qiellit për errësirën e tokës dhe buka e qiellit për urinë e njeriut.
Më pas kemi mrekullinë e FJALËVE TË TIJ. Ai foli me autoritet, duke kërkuar vëmendjen e atyre që dëgjonin. Ai tha: “Ju keni dëgjuar të thuhet… por Unë po ju them.” Fjalët e Tij janë të vërteta edhe nga ana etike. Ju nuk do të gjeni asgjë të gabuar te ajo që Jezusi mësoi ose tha. Ai foli me thjeshtësi, por me fuqi të madhe.
Mrekullia e gjashtë e Krishtlindjes është mrekullia e VEPRAVE TË TIJ. Si mund t’i përshkruajmë ato? Kudo që shkoi, Ai bëri mirë. Të verbërve iu tha: “Shihni sërish”, çalamanëve iu tha: “Ngrihuni dhe ecni”. Ai ndaloi në ceremonitë mortore dhe i ringjalli të vdekurit. Nuk bëri asnjë analizë klinike. Nuk solli asnjë specialist. Ai thjesht e tha Fjalën dhe ajo u bë.
Mrekullia e shtatë e Krishtlindjes është mrekullia e VDEKJES SË TIJ e ofruar lirisht, e pamerituar, por që preku marrëdhënien afatgjatë të çdo njeriu me Atin Qiellor.
Mrekullia e shtatë është mrekullia e RINGJALLJES SË TIJ. Pilati dha urdhrin e tij për të vulosur varrin. “Shkoni dhe siguroni varrin si të dini” (Mateu 27:65). Por varri është bosh dhe Krishti jeton për përjetësi.
Mrekullia e nëntë e Krishtlindjes është mrekullia e KTHIMIT TË TIJ TË DYTË. Lajmëtari në Mallin e Ullinjve tha: “Ky Jezus, që u mor nga mesi juaj në qiell, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë atë që shkojë në qiell” (Veprat 1:11).
Por së fundmi, mrekullia e dhjetë e Krishtlindjes është mrekullia e FUQISË SË TIJ SHPËTUESE. Mesazhi i engjëllit për Jozefin ishte ky: “Ai do të shpëtojë popullin e Tij nga mëkatet e tyre” (Mateu 1:21). Kjo është mrekullia e madhe e Krishtlindjes: përmes gjakut të Tij ne gjejmë falje dhe pastrim. Lavdi Perëndisë për mrekullitë e Krishtlindjes!