Frika është armiku i madh i besimit dhe pothuajse solli shkatërrimin e popullit të Zotit. Pasi Zoti i shpëtoi Izraelitët nga skllavëria në Egjipt, ata u gjetën me shpinë në Detin e Kuq, përballë qerreve të fuqishme të Egjiptit. Ata ishin zënë në kurth, me sa duket pa asnjë rrugëdalje. Nga frika ata i thirrën Moisiut, duke thënë: “A nuk ju thamë në Egjipt:”Na lër rehat, kështu do të mund t’u shërbejmë Egjiptasvee”?”. (Eksodi 14:12).
Kur u përballën me një situatë të pamundur, izraelitët nuk kujtuan që Nili u kthye në gjak, bretkosat, gurët e breshrit, vdekjen e të parëlindurit ose ndonjë nga veprat e tjera mrekullibërëse të Zotit, të cilat kishin vepruar fuqishëm në favor të tyre. Në vend të kësaj, mendimi i tyre i parë ishte të ktheheshin në Egjipt. Por Zoti i tha popullit të Tij që të ecnin përpara, jo prapa – dhe Ai e ndau Detin e Kuq për t’u bërë atyre një rrugë. Me të vërtetë nuk ka diçka të tillë si një situatë e pamundur në sytë e Zotit.
Sa herë Zoti ka dashur që ju të ecni përpara, por përkundrazi ju dëgjuat frikën tuaj dhe u kthyet mbrapa? Besimi kërkon që ne të ecim përpara. Besimi do të thotë të ndërmarrësh rreziqe. Besimi kërkon që të dalim nga zona jonë e rehatisë. Në jetën e krishterë, qëndrimi në vend është i pamundur, sepse besimi është një ngjitje. Ose po shkojmë përpara me besim ose do të shkojmë prapa nga frika.
Lutja: Zot, më ndihmo të besoj te Ti – të ushtroj dhe të rris besimin tim edhe në rrethanat më të vështira. E di që je sovran dhe se je dashuri. Unë besoj në premtimin tënd se cdo gjë bashkëvepron për të mirën time, por ndihmo mosbesimin tim, Zot. Unë lutem në emër të Jezusit. Amen
“Ndërsa Faraoni po afrohej, bijtë e Izraelit ngritën sytë; dhe ja, Egjiptasit marshonin prapa tyre, prandaj patën shumë frikë; dhe bijtë e Izraelit i klithën Zotit.” (Eksodi 14:10).