Shumë shpesh njerëzit e gjejnë veten në stres kronik që thith të gjithë motivimin, energjinë dhe interesin për botën rreth tyre. Ata bëhen cinikë, nuk janë më të lidhur as me gjërat dhe as me njerëzit dhe mendojnë se aftësitë e tyre nuk janë të përshtatshme për punën që po bëjnë. Kur kjo ndodh, një person vuan nga ajo që përshkruhet si ezaurimi, një gjendje e ngjashme me depresionin, në të cilën balanca e punës dhe e jetës shkatërrohet dhe njeriu ndihet i shkëputur dhe i papërfshirë në të dyja anët, si në punë, ashtu edhe në familje. Ezaurimi , mund të shkatërrojë një karrierë premtuese, dhe dëmi mendor dhe emocional mund të kërkojë vite për t’u riparuar. Megjithatë, kjo nuk ndodh gjithmonë dhe mund të parandalohet. Më poshtë listojmë pesë shenja që tregojnë se po ezaurohesh në punë.
Rraskapitja Kur je në limit për të kaluar në ezaurim, ndihesh i lodhur. Stresi që të sjellin situatat ka gjasa që të kushtojë gjumin. Mund të kesh pagjumësi dhe të qëndrosh zgjuar deri natën vonë. Edhe pse dëshiron shumë të flesh, nuk mundesh sepse mendon që do të shkosh sërish të punosh nesër. Stresi dihet që është një kundërshtar i gjumit të rehatshëm të natës. Ezaurimi nuk të lë vetëm të lodhur fizikisht, nëse jeni duke kaluar këtë problem, po ashtu do të ndihesh i lodhur emocionalisht.
Mungesa e motivimit Nëse një ditë nuk ke energji për të bërë diçka të vlefshme, mos u shqetëso, kjo është diçka që e përjetojmë të gjithë. Ka momente që na duhet forcë edhe motivim qoftë për të bërë një kafe. Por të tilla ditë duhet të jenë të rralla. Nëse jeni duke provuar ezaurimin, mungesa e motivimit bëhet kronike. Ju e ndjeni veten të paaftë për të ecur përpara dhe bëheni më pak efektive në punë. Performanca juaj mund të fillojë të bjerë.
Cilësia e marrëdhënieve Shumica e njerëzve që vuajnë nga ezaurimi kanë tendencë të lënë pas dore marrëdhëniet e tyre. Kjo është e logjikshme për personin që vuan nga ezaurimi. Ata ndjejnë një lodhje të theksuar. Gjëja e fundit që duan të bëjnë është të kalojnë kohë me njerëz të tjerë. Marrëdhëniet personale nuk janë të vetmet që preken gjatë kësaj faze. Shumë njerëz përfundojnë duke qëndruar në zyrë gjatë gjithë ditës pa komunikuar me askënd. Ata nuk pëlqejnë të flasin, edhe pse lidhjet mund t’u japin atyre ndihmën e nevojshme dhe lehtësimin e stresit që kanë nevojë gjatë kohës që po luftojnë.
Problemet e shëndetit Nëse ke qenë vazhdimisht një person i shëndetshëm, por tani sëmuresh vazhdimisht, mund të jesh duke u përballur me ezaurimin. Ezaurimi karakterizohet nga stresi kronik dhe stresi është armiqësor ndaj sistemit imunitar.Stresi i vazhdueshëm ul sistemin tënd imunitar dhe do të kesh më shumë prirje për të kapur sëmundje të vogla si virozat dhe ftohjet, si dhe sëmundjet më serioze siç janë infeksionet respiratore. Dhimbjet e kokës, dhimbjet e stomakut dhe ngërçet e muskujve janë të zakonshme tek njërzit që përballen me këtë problem.
Negativiteti kronik Ditët e këqija kanë të gjithë, por kur jeni duke u ezauruar, ditët e këqija tejkalojnë të mirat. Ju filloni të dyshoni në aftësinë për të bërë punën tuaj. Njerëzit angështohen më lehtë dhe bëhen dhe më nervozë. Kjo nuk është për t’u habitur duke pasur parasysh se shumë njerëz që kalojnë këtë gjëndje, vuajnë gjithashtu nga pagjumësia. Mungesa e gjumit mund të bëjë që dikush të jetë jo miqësor.
Ezaurimi mund të prekë këdo, por është më e vështirë për të të prekur, nëse ke një ekuilibër të shëndetshëm pune dhe jetë. Merr një pushim kur ke nevojë për të, dhe kujdesu për veten. Nëse filloni të ndiheni vazhdimisht të lodhur, analizoni situatën me qetësi. A keni marrë shumë projekte në një kohë shumë të shkurtër? Plotësojini ato këtë herë, dhe pastaj sigurohuni që të lehtësoni ngarkesën. Duhet thënë jo për gjërat që vërtet nuk keni kohë për të bërë. Shëndeti juaj është shumë i rëndësishëm dhe jeta është shumë e shkurtër për të qëndruar në një vend që vetëm të shkatërron.