Një punonjëse, në një shtëpi të moshuarish, vuri re se ndër ta, kishte disa pendesa që haseshin më shpesh. Më së shumti ishin mundësitë të humbura. Kjo mund të konsiderohet një mundësi e mirë mësimi për ne, për të kuptuar se si ta jetojmë jetën, në mënyrë që të pendohemi për sa më pak gjëra në fund të saj.
1.Do donin të kishin dashuruar më fort
Të moshuarit shprehen se do donin të ishin treguar më të kujdesshëm, më të kuptueshëm dhe t’u kishin qëndruar më afër njerëzve të tyre të dashur. Ata shfaqin pendesë për marrëdhënie të humbura për faj të tyre. Shumë prej tyre do donin të kishin kurajën t’i thoshin “të dua” personit më të rëndësishëm për ta. Ata do donin të kishin qenë prindër ose bashkëshortë më të mirë dhe të mos e merrnin praninë e të afërmve të tyre si të mirëqenë.
2.Do donin të kishin jetuar ëndrrën e tyre
Të moshuarit shprehen se kanë ëndrra të paplotësuara vetëm se kanë qenë të zënë duke u bërë qejfin të tjerëve. Ata nuk e kanë lejuar veten të ndërtojnë dhe të ndjekin një rrugë sipas zgjedhjeve të tyre. Në vend të kësaj, ata kanë jetuar ëndrrën e dikujt tjetër pikërisht për të kënaqur personin tjetër. Si rezultat, shumë prej tyre nuk jetuan duke shfrytëzuar gjithë potencialin e tyre për të jetuar një jetë me qëllim.
3.Do donin të kishin shpenzuar më pak kohë duke punuar
Disa thonë me pendesë që kanë punuar shumë gjatë jetës së tyre. Disa pendohen që kanë munguar në momente të rëndësishme të jetës së fëmijëve të tyre. Do donin të kishin qenë më të gjendur për bashkëshortët e tyre. Shumë kanë kuptuar që edhe pse të siguruarit para është e rëndësishme, nuk ia vlen koha që kanë shpenzuar në punë. Ne të gjithë duhet të punojmë, por duhet të jemi të ndërgjegjshëm, që ka gjëra të tjera në jetë po aq të rëndësishme sa puna.
4.Do donin ta kishin shijuar më shumë jetën.
Shumë njerëz dëshirojnë që t’i kishin lejuar vetes më shumë gëzim dhe pendohen që e kanë marrë jetën kaq seriozisht. Në fund të jetës së tyre do donin të kishin shpenzuar më shumë kohë duke u kënaqur, në vend që të shqetësoheshin për gjëra që as nuk vareshin prej tyre. Të kënaqesh dhe të shijosh jetën, janë çelësa për një jetë më të lumtur, më të shëndetshme dhe më të plotë.
5.Do donin të kishin rrezikuar më shumë
Për disa njerëz ka shumë gjëra që do donin t’i kishin ndjekur, por frika nuk i ka lejuar. Ata kanë pasur frikë se marrja e një nisme të re do të dështonte, kështu që të qëndronin në vend ishte më e sigurt. Si rezultat, pendohen sepse mund të kishin jetuar një jetë më të plotë dhe më emocionuese, nëse do të rrezikonin pak më shumë.
Shumë gjëra i mësojmë prej të moshuarve. Duaj më shumë, ndiq ëndrrat e tua, mos shpenzo gjithë kohën vetëm duke punuar, ndërmerr edhe riskun dhe shijoje jetën.